Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, i shoqëruar nga Koordinatori për Bujqësi dhe Zhvillim Rural në Kabinetin për Qeverisje të Mirë, Naim Ismajli, kanë vizituar sot kompaninë “Doni Fruit”, në Shtime.
Gjatë kësaj vizite në këtë kompani, Kryetari Krasniqi ka thënë se kompanitë e mirëfillta si “Doni Fruit”, përkundër suksesit të tyre, kanë nevojë për mbështetje institucionale për të zhvilluar dhe rritur veprimtarinë.
“Bujqësia është ndër aktivitetet ekonomike më të rëndësishme e cila për fat të keq nga qeveria aktuale nuk e ka marrë vëmendjen e duhur dhe kujdesin që ka nevojë. Fermerët e Kosovës meritojnë të kenë mbështetje dhe kushte më të mira në veprimtarinë e tyre.”, ka thënë Krasniqi.
Më tej, kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se alternativat dhe politikat bujqësore të PDK-së do të kenë në qendër të saj fermerët dhe ndërmarrësit.
“Alternativa jonë për politikat bujqësore do të ketë në fokus fermerët dhe ndërmarrësit që i japin përparësi prodhimeve tona vendore, rritjes së vlerës së produkteve bujqësore dhe sigurisë së plasimit të tyre në treg.”, ka thënë Krasniqi.
Ndërkaq, Koordinatori për Bujqësi dhe Zhvillim Rural në kuadër të Kabinetit për Qeverisje të Mirë, Naim Ismajli, ka thënë se së bashku me ekspertët e Departamentit për Bujqësi dhe Zhvillim Rural në KQM, do të hartojnë strategjinë për përdorim më të mirë të burimeve në bujqësi që do të ndikojë në arritjen e një niveli më të lartë të konkurrueshmërisë së bujqësisë.
Udhëheqësit e kompanisë “Doni Fruits” kanë falënderuar Kryetarin e PDK-së dhe Koordinatorin për Bujqësi në kuadër të KQM-së, për vizitën dhe mbështetjen në zhvillimin e veprimtarisë së tyre.