KQZ jep rezultatet e fundit lidhur me votat e kandidatëve për deputetë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (BQK), ka bërë të ditur se deri më sot (18 shkurt) janë numëruar rreth 78% të vendvotimeve për votat e kandidatëve lidhur me zgjedhjet parlamentare.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, bëri të ditur se deri më tani ka përfunduar numërimi i votave të kandidatëve në 1 mijë e 970 vendvotime nga 2533 sa janë gjithsej.

Elezi tha se KQZ po bën përpjekje që t’i publikojë rezultatet e kandidatëve për deputetë deri para shpalljes së rezultateve përfundimtare.

“KQZ është duke bërë përpjekje që para shpalljes së rezultateve përfundimtare për subjektet politike dhe kandidatët për deputetë t’i publikojmë këto rezultate për vendvotimet që janë numëruar nëpër QNR deri më tani, e më pastaj edhe rezultatet nga vendvotimet të cilat do të numërohen në vazhdim”, tha tutje ai.

Lidhur me numërimin dhe verifikimin e subjekteve nga formularët deri më 18 shkurt në ora 16:00 janë numëruar rreth 78% të vendvotimeve apo rreth 1 mijë e 970 nga 2533 sosh, ndërkaq lidhur me aspektet e tjera të procesit zgjedhor ju njoftojmë se është duke vazhduar verifikimi i votave përmes postës”, ka thënë Elezi.