Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se në komunën e Podujevës dhe atë të Mitrovicës së Veriut, ku sot po mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të këtyre dy komunave janë hapur të gjitha qendrat e votimit.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka njoftuar se të gjitha qendrat e votimit në të dy këto komuna janë hapur me kohë.
“Komuna e Podujevës ka 87, 381 votues të regjistruar, kurse numri i qendrave të votimit në këtë komunë është 45 me gjithsej 115 vendvotime.
Ndërsa, në Mitrovicën e Veriut janë 23 mijë e 313 votues, të cilët do të mund të votojnë në shtatë qendra të votimit me gjithsej 27 vendvotime”, tha Elezi, transmeton Telegrafi.
Ai kërkoi mirëkuptimin e qytetarëve për zbatimin e masave mbrojtëse sipas rekomandimeve të institucioneve shëndetësore.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kërkon mirëkuptimin e qytetarëve për zbatimin e masave mbrojtëse sipas rekomandimeve të institucioneve shëndetësore”, ka deklaruar Eelezi.
Sipas udhëzimit të miratuar nga KQZ, votuesit duhet të mbajnë një maskë mbrojtëse dhe të mbulojnë hundën dhe gojën, dhe pas verifikimit me një llambë UV, të dezinfektojnë duart e tyre me alkool.