KQZ-ja në pritje të raportit përfundimtar nga organet e sigurisë për problemet me uebfaqen

Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, është shprehur se janë në pritje të raportit nga organet e sigurisë dhe të hetuesisë, për arsyet e mosfunksionimit të uebfaqes së KQZ-së, ditën e zgjedhjeve. Ai ka thënë se kanë marrë disa masa për ta bërë më të sigurt sistemin e regjistrimit të rezultatit, por megjithatë të enjten sërish komisionerët nëpër qendra të numërimit u ballafaquan me probleme.

Komisionerët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve edhe tri ditë pas fillimit të numërimit të votave të deputetëve e verifikimit të atyre të partive, janë duke u ballafaquar me problemet e sistemit të regjistrimit të rezultateve.

Këto telashe i patën të enjten edhe një pjesë e konsiderueshme e qendrave të numërimit, në të cilat ka nisur ky proces.

Në Mitrovicë të Veriut u përballën me rënie të rrjetit të internetit që për pasojë shkaktoi vonesa në procesimin e rezultateve në sistem.

Telashe me rrjetin, por edhe me çështje të tjera organizative pati edhe në kryeqytet.

E procesin e numërimit të votave të zgjedhjeve në Shtime e ndërpreu ndalja e rrymës.

Për problemet me sistem, kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, është shprehur se i kanë marrë disa masa, porse rënia e rrjetit të internetit që po ua pengon punën, tha se nuk është çështje e tyre.

“Dua të ritheksoj, të hënën dhe të martën kemi bërë një ndërhyrje në sistem i cili ka ngritur sigurinë e platformës dhe tashmë është duke funksionuar. Tash gjithçka varet vetëm nëse ka rrjet ose jo, e që nuk është çështje e jona. Platforma tani pas asaj ndërhyrjeje ka sigurinë shumë më të lartë dhe është duke funksionuar”, ka thënë Radoniqi.

Për këto probleme e për mosfunksionimit e uebfaqes së KQZ-së ditën e zgjedhjeve që bëri të mos publikohen me kohë rezultatet, Radoniqi ka takuar të enjten edhe presidenten Vjosa Osmani.

Ai u shpreh se do të deklarohen pasi të marrin raportin përfundimtar të organeve të sigurisë.

“Kjo çështje tash është në duar të policisë dhe prokurorisë. Pa e marrë raportin nga ta, ne nuk do të japim asnjë informacion, se nuk i kemi. I kemi edhe ne disa dyshime tona por ato dyshime janë adresuar në Polici, Policia do ta japë raportin”, ka deklaruar Radoniqi.

E në Presidencë kanë thënë se edhe Osmani ka shtruar nevojën që institucionet të bashkërendojnë veprimet për ta ruajtur integritetin e procesit zgjedhor dhe të votës së qytetarëve.

“Që nga dita e zgjedhjeve, presidentja ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me kryetarin Radoniqi si dhe institucionet përkatëse të sigurisë dhe ka kërkuar që të ndërmerren të gjitha masat e nevojshme për ta mbrojtur procesin zgjedhor dhe për të garantuar respektimin e plotë të vullnetit të qytetarëve duke rikonfirmuar çdo votë edhe nëpërmjet numërimit manual, përveç atij të bërë në sistemin elektronik”, thuhet në komunikatën e Presidencës.

Qendrën komunale të numërimit të votave në Prishtinë të enjten e ka vizituar edhe ambasadori i BE-së në Kosovë, Aivo Orav.

Procesi i numërimit që është dashur të nisë të hënën nuk ka filluar ende edhe në 12 komuna, në të cilat synohet të nisë të premten.

Të martën dhe të mërkurën ka nisur numërimi i votave të deputetëve në 18 komuna, ndërsa të enjten nisi në 8 të tjera.