Në kuadër të zgjedhjeve lokale që pritet të mbahen më 17 tetor, KQZ-ja thotë se është duke u bërë regjistrimi i votuesve jashtë Kosovës, i cili ka qenë i hapur nga data 10 korrik deri më 18 gusht. Gjithashtu edhe votimi përmes postës për votuesit e regjistruar suksesshëm si votues jashtë Kosovës me afat 15 shtator – 15 tetor, ndërrimin e qendrës së votimit brenda komunës me afat 20 korrik – 7 shtator si dhe koha për aplikim të subjekteve politike nga17 qershori deri më 16 gusht.
Sipas njoftimit ndërrimi i qendrës së votimit brenda komunës mund të bëhet përmes aplikacionit të KQZ-së https://eomp.kqz-ks.org/ ose duke paraqitur aplikimin në Komisionin Komunal të Zgjedhjeve në komunën përkatëse. Përmes këtij aplikacioni mund ta mësoni edhe vendvotimin tuaj.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, njoftoi se sipas të dhënave nga shërbimi votues, deri më 3 gusht, janë pranuar 2101 aplikacione për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës, prej të cilave janë aprovuar 1960, ndërsa 141 të tjera jo pasi nuk kanë plotësuar kriteret juridike. Edhe për këto raste, shërbimi votues i ka njoftuar për dokumentet që duhet t’i dërgojnë në mënyrë që t’iu aprovohet kërkesa për regjistrim si votues jashtë Kosovës.
Të gjithë aplikuesit që plotësojnë kriteret ligjore për t’u regjistruar si votues jashtë vendit mund të votojnë gjatë periudhës së votimit përmes postës e cila fillon më 15 shtator dhe përfundon më 15 tetor 2021.
KQZ-ja ka pranuar deri më tani vetëm 7 aplikime të subjekteve politike, prej tyre 4 iniciativa qytetare, 1 parti politike dhe 2 kandidatë të pavarur. Afati për aplikim të subjekteve politike për t’u certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale të 17 tetorit si dhe për dorëzimin e listës me emrat e kandidatëve për Kryetar Komune apo për Kuvende Komunale përfundon më 16 gusht.