Komisioni i Pavarur i Mediave e ka votuar për kryetar, anëtarin e deritashëm të saj, Besnik Berishën në mbledhjen e mbajtur pasditen e së premtes.
Në prag të votimit, KPM-ja e ka ndryshuar Rregulloren e Punës, duke shtuar nenin që thotë se “zgjedhja e Kryetarit, përkatësisht Nënkryetarit, mund të bëhet brenda një (1) muaji para skadimit të mandatit të Kryetarit, përkatësisht Nënkryetarit, veçanërisht për t’u siguruar që KPM nuk mbetet pa Kryetar, përkatësisht Nënkryetar në rastet kur mbetet pa kuorum për zgjedhjen e tyre”.
Kryetari aktual, Jeton Mehmeti, i cili ka mandat kryetari deri të hënën ka thënë se po ndjen pasiguri juridike për ta vazhduar mbledhjen sepse mund ta shkelë legjislacionin në fuqi.
“Nuk ndjej siguri juridike për të vazhduar mbledhjen sepse nuk mund të jemi në sallë si kryetar. Misioni im si kryetar merr fund këtu. Nëse thirret mbledhje tjetër, marr pjesë si anëtar. Këtu po e mbylli këtë mbledhje”, deklaroi Mehmeti.
Anëtarët e tjerë paraprakisht e inkurajuan që ta vazhdojë kryesimin e mbledhjes, meqë thanë se ai ka mandat deri të hënën si kryetar.
Një rregull të ngjashëm e ka edhe Gjykata Kushtetuese në Rregulloren e saj të Punës, çka e kanë përmendur edhe disa anëtarë të KPM-së. Megjithatë në rregulloren e Kushtetueses nuk parashihet si arsye rreziku i mbetjes pa kuorum. Në rregulloren e Kushtetueses, parashihet që “kur posti mbetet menjëherë i zbrazët, zgjedhja për Kryetar duhet të mbahet sa më shpejtë që të jetë e mundur dhe Zëvendëskryetari ushtron rolin e Kryetarit të përkohshëm deri në hyrjen në fuqi të mandatit të Kryetarit të ri”.
Ligji për KPM parasheh që “në mbledhjen e parë anëtarët e KPM-së me shumicë të thjeshtë votash, zgjedh kryetarin dhe nënkryetarin e tij nga radha e anëtarëve të KPM-së, nëse në mbledhjen e parë janë të pranishëm së paku dy të tretat (2/3) e anëtarëve të KPM-së”. Ky ligj po ashtu parasheh që “Kushtet, kriteret dhe procedurat e mëtejme për punën e KPM-së, rregullohen me Rregulloren e punës së KPM-së”.
E ndryshimi i rregullores ka nxitur reagim në publik. Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka thënë se është i shqetësuar me procesin e zgjedhjes së kryetarit të ri. Sipas AGK-së, votimi i sotëm është përpjekje për politizim të KPM-së.
“Zgjedhja e Besnik Berishës për kryetar të KPM-së ngre pikëpyetje ligjore për mënyrën e ndryshimit të Rregullores së KPM-së, e cila parasheh që kryetari i ri zgjidhet në mbledhjen e parë pasi t’i ketë skaduar mandati ose të jetë shkarkuar kryetari aktual. AGK-ja e sheh votimin e sotëm si përpjekje të hapur për politizimin dhe instrumentalizimin e KPM-së për interesa të partisë në pushtet, duke u bazuar në qëndrimet publike të iniciatorëve për ndryshimet e sotme. Komisioni i Pavarur i Medieve, si organ kushtetues, luan rol të rëndësishëm në rregullimin e skenës mediale në Kosovë dhe, si i tillë, duhet ta ruajë pavarësinë e plotë dhe të mos lejojë ndërhyrjet politike”, thuhet në reagim të AGK-së.
Dy prej shtatë anëtarëve të bordit të këtij institucioni u kishte kaluar mandati në tetorin e 2023-s e Kuvendi s’e kishte bërë zëvendësimin e tyre. Dy të tjerëve u skadon më 21 janar, dhe bordi parashihej të mbeste pa kuorum në kohë fushate zgjedhore.
Për zëvendësimin e dy anëtarëve që u ka përfunduar mandati, janë shpallur dy herë konkurse, por Kuvendi në seancë ka dështuar t’i emërojë. Në nëntor ishte bërë shpallja e tretë dhe KPM-ja i kishte procedura në fillim të dhjetorit aplikacionet në Kuvend.
Pushteti, edhe pse kishte mjaftueshëm anëtarë në Komisionin Parlamentar për ta formuar komisionin intervistues, e bënte përgjegjëse opozitën për pengim të themelimit të tij me arsyetimin se “kandidatët s’mund të intervistohen vetëm nga mazhoranca”.