KPK-ja voton Blerim Isufajn për Kryeprokuror të Shtetit

Këshilli Prokurorial i Kosovës ka votuar unanimisht për Blerim Isufajn për Kryeprokuror të ri të Shtetit

Paraprakisht, Komisioni për Rishqyrtim i KPK më 1 prill 2022 kishte shqyrtuar kundërshtimet e katër kandidatëve për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit, Armend Hamiti, Lulzim Sylejmani, Shqipdon Fazliu dhe Kujtim Munishi.

Isufaj nga KPK është propozuar për dekretim, tek presidentja e Republikës së Kosovës.

Kundërshtimi i katër kandidatëve të lartpërmendur erdhi pasi Komisioni rekrutues për përzgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit, në krye me kryesuesin Jetish Maloku dhe anëtarët Arjana Shajkovci, Bedrije Syla- Alshiqi, Armend Zenelaj dhe Jovo Radoviq, kishte renditur në këtë garë, kandidatin Blerim Isufaj, si më të suksesshmin me 98 pikë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndërsa, sipas rezultatit të intervistimit renditja e katër kandidatëve të tjerë sipas pikëve ishte: Shqipdon Fazliu me 92 pikë, Kujtim Munishi me 84.2 pikë, Armend Hamiti me 80.6 pikë dhe Lulzim Sylejmani me 74.2 pikë.

Ndryshe, pas dorëheqjes së anëtarit të KPK-së Agron Beka nga ky komision, vendin e tij e ka zënë anëtarja Jehona Grantolli.

“Betimi për Drejtësi”, të enjten kishte raportuar mbi dorëheqjen e anëtarit Beka nga Komisioni për rishqyrtim të kundërshtimeve të kandidatëve për pozitën e Kryprokurorit të Shtetit.

Sipas, Rregullores Nr. 06/2019 për emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit dhe kryeprokurorëve të prokurorive të Republikës së Kosovës, Komisioni për rishqyrtim nëse vlerëson se kundërshtimet e kandidatëve janë të bazuara, i dërgon KPK-së raport të arsyetuar dhe pastaj KPK voton propozimin e këtij Komisioni.

Sipas kësaj Rregullore, nëse KPK-ja aprovon të gjeturat e këtij Komisioni kërkon nga anëtarët e Panelit Vlerësues që të rishikojnë edhe njëherë procesin për të adresuar të gjeturat.

Por, nëse KPK refuzon të gjeturat e këtij Komisioni, poentomi final do të konfirmohet dhe KPK do të kalojë në procesin e votimit.

Ndryshe, në një raport të publikuar më 24 mars 2022 nga Koalicioni i OJQ-ve, Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) dhe Lëvizja FOL me titull “Integriteti i procesit të përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit (Raport i monitorimit dhe vlerësimit të procesit të përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit)”, ky koalicion ka rekomanduar të anulohet procesi i përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit dhe të shpallet konkurs i ri.

Isufaj në postin e Kryeprokurorit të Shtetit do ta zëvendësojë Aleksandër Lumezin. /BetimipërDrejtësi