Kosova po përballet muajin e fundit me periudhën më të rëndë shëndetësore që nga shfaqja e pandemisë së COVID-19. Autoritetet thonë se spitalet e Kosovës kanë filluar të ngarkohen me pacientë që kërkojnë trajtim.
Zëdhënësi i ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti përmes Skype-it i tha Zërit të Amerikës se infrastruktura spitalore është shumë e ngarkuar.
“Situata epidemiologjike sa i përket COVID-19 është e ngarkuar këtyre ditëve në Kosovë, sikur edhe në shtetet e rajonit dhe më gjerë dhe çka është fokus kryesor i ministrisë së Shëndetësisë dhe institucioneve tjera është që të angazhoj sa më shumë kapacitete në mënyrë që infrastruktura spitalore aktuale të jetë në gjendje të ofrojë shërbime secilit qytetarë që do të ketë nevojë për tretman COVID-19. Në bazë të raportit të fundit nga shërbimi spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës ditën e fundit kemi pasur të hospitalizuar 790 pacientë prej të cilëve 526 pacientë kanë qenë pacientë të konfirmuar me COVID-19 të cilët marrin trajtim sikur në QKUK dhe spitale tjera të vendit”, tha zoti Hoti.
Zoti Hoti thotë se sipas statistikave dhjetë për qind e të prekurve zakonisht kërkojnë trajtim në spitale të Kosovës. Ai thotë se shqetësim mbetet numri i personave që po humbin jetën nga ky virus dhe se të rrezikuara janë të gjitha moshat.
“Ajo çka duhet qytetarët të bëjnë kujdes është të mos e injorojnë virusin dhe të mos krijohet ideja që me fatalitet me COVID-19 përfundojnë vetëm rastet e atyre që janë të moshuar apo që kanë sëmundje shoqëruese sepse kemi pasur edhe raste ku persona në moshën relativisht të re kanë humbur jetën me COVID pa pasur edhe sëmundje tjera shoqëruese”, tha zoti Hoti.
Kosova shënoi të premten 11 viktima si pasojë e koronavirusit duke e çuar në 885 numrin personave që kanë humbur jetën nga pasojat e këtij virusi.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike konfirmoi sot 855 raste të reja të të prekurve nga koronavirusi në 24 orët e fundit duke e çuar afër 33 mijë numrin e përgjithshëm të të prekurve. Deri tani të shëruar janë shpallur afër 20 mijë veta, ndërsa mbi 12 mijë mbeten raste aktive.