Avokati i popullit e ka paditur ZRRE-në lidhur me vendimin për tarifa ndaj serbëve vetëm për periudhën 5 vjeçare, pra për vitet 2012- 2017. Gjykata Themelore në Prishtinë e ka marrë nën shqyrtim ankesën e Avokatit të Popullit, duke e cilësuar si të kundërligjshme pagesën e rrymës në veri, por vetëm për periudhën 5 vjeçare, e jo 21 vjeçare.
Kosovarët prej viteve 2000-2010 kanë paguar 8 për qind të energjisë elektrike si humbje në zonat e banuara nga serbët. Dy vitet tjera ranë në 4 për qind, pasi Korporata Energjetike e Kosovës kishte arritur ti fuste në sistem serbët jashtë veriut dhe ata filluan ti paguanin faturat e tyre.
Nëse 4 për qind e energjisë elektrike bëjnë 8 milionë euro, atëherë i bie që për mbi 10 vjet është paguar dyfishi, apo 16 milionë euro në vit, duke arritur në shifrën e mbi 165 milionë eurove, pasi është plus gjyma e vitit 1999. Kur kësaj i shtohet edhe shifra e 16 milionë eurove për 2 vjetët e mbetura i bie që janë paguar direkt nga konsumatorët mbi 180 milionë euro. Kur kësaj i shtohet edhe shifra e paguar për 3 vjetët e fundit, pra rreth 30 milionë euro, atëherë shifra arrin në 210 milionë euro.
Ndërkohë, Avokati i Popullit ka kërkuar që të kthehet vetëm shuma prej 40 milionë eurove gjatë periudhës 2012- 2017. Kjo nënkupton që në total arrin shifra në rreth 250 milionë euro.
Lajmi.net është në pritje të një përgjigje nga ana e Avokatit të Popullit lidhur më atë se pse nuk ka ushtruar padi ndaj ZRRE edhe për periudhën tjetër kohore.
Avokati i Popullit ka konstatuar që duhet ta kthehet vetëm energjia që është paguar pas privatizimit. Sipas tij, kur qytetarët e paguanin energjinë elektrike përmes KEK-ut, kjo nuk duhet të kthehet.
Përgjatë së hënës, Gjykata Themelore në Prishtinë e ka marrë nën shqyrtim ankesën e Avokatit të Popullit, duke e cilësuar si të kundërligjshme pagesën e rrymës në very, por vetëm për periudhën 5 vjeçare.
Gjykata ka obliguar kthimin e 40 milionë eurove si kompensim ndaj qytetarëve të Kosovës, shifër totale kjo e faturuar si shtesë në shpenzimet mujore të energjisë elektrike, shkruan lajmi.net.
“Anulohet si i kundërligjshëm vendimi i ZRRE-së dhe detyrohet që të ndërmarr veprime që e obligojnë Shërbimin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS) që të bëjë kthimin e shumës së faturuar, respektivisht kompensimin e dëmit konsumatorëve të cilët janë faturuar për shpenzimin e energjisë elektrike në katër komunat veriore të Kosovës dhe atë për periudhën kohore nga 06.02.2012 e deri më 20.10.2017, në vlerën prej 40.855.480 milionë euro. Të gjitha këto në afat prej 15 ditësh nga dita e pranimit të këtij aktgjykimi”, u tha në vendimin e Gjykatës.
Në maj të këtij viti, në Kuvendin e Kosovës është miratuar vendimi për ndarjen e 11 milionë eurove si mjet financiar për mbulimin e humbjeve të energjisë elektrike në katër komunat (Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq), të banuara më shumicë serbe në veri të Kosovës.
Ky vendim ka kaluar me 61 vota për të deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
Sipas KOSTT-it, që nga viti 2017 e deri në fund të vitit të kaluar, 40 milionë euro vlerësohet vlera e energjisë se shpenzuar në zonën veriore të Kosovës.
Sipas Bilancit të energjisë elektrike pwr vitin 2021, të publikuar nga ZRRE, kërkesa gjithsejte për energji elektrike në Kosovë për vitin 2021 duke përfshirë edhe konsumin për furnizim të veriut të Kosovës, parashihet të jetë 6,433.9 GWh, nga kjo vetëm veriu merr 326 GWh. Kjo energji, e cila njihet si humbje ne sistem, po furnizohet nga KOSTT me buxhet jashtë tarifor. /Lajmi.net/