Në futbollin ndërkombëtar, shpesh dëgjohet për idenë se një përfaqësuese duhet të “ndërtohet rreth” një lojtari. Në realitet, të rralla janë rastet kur një skuadër e nivelit të lartë ndërkombëtar, veçanërisht një e suksesshme, është e formuar me të vërtetë rreth një lojtari të caktuar. Përfaqësuesja e Suedisë në konkurrencën e femrave, është një përjashtim. Kosovare Asllani, mesfushorja sulmuese, padyshim se është lidere e Suedisë, pasi trajneri Peter Gerhardsson, e ka ndërtuar skuadrën rreth.
“Peter ka një vlerë të pabesueshme personalisht për mua. Menjëherë, ai më dha një përgjegjësi të pabesueshme dhe më vuri në pozicionin që dua të luaj: një rol në mesfushë sulmuese”, ka thënë Asllani.
“Por ajo që më pëlqen veçanërisht te Peteri janë cilësitë e tij drejtuese. Atij i pëlqen të japë përgjegjësi dhe dëshiron që ne të marrim vendimet tona. Është një lloj lidershipi që më pëlqen, ku ju drejtoni me shembull”.
Kur Asllani debutoi për Suedinë 15 vjet më parë, nuk kishte asnjë dyshim për nivelin e talentit të saj. Megjithatë, pak do të kishin parashikuar që ajo një ditë do të mbante shiritin e kapitenit në një Kupë Botërore. Asllani ishte e kundërta e kapitenit; një sulmuese e talentuar, por edhe një lojtare që e fuste veten në telashe gjithmonë në media dhe ndonjëherë edhe me klubin e saj, siç ishte rasti te Paris Saint-Germaini.
“Në javën time të parë në Paris, kam thyer të gjitha rregullat, vetëm për të parë se si do të reagonin”, tha ajo. “Nuk më pëlqejnë rregullat. Jam gjobitur për sjelljen time. Tani e di që duhet të ndjekë rregullat, edhe nëse e kam të vështirë”.
Krahasimi me Zlatan Ibrahimoviqin
E gjithë kjo duket një pjesë themelore e të qenit një lojtare ekipi, por për Asllanin ishte një luftë. Një dekadë më vonë, Asllani është pjekur në një lidere të besueshme. Me shiritin në krah në Botërorin e këtij viti, Asllani i jep Suedisë besimin dhe egërsinë që ndonjëherë i ka munguar. Me Asllanin lidere, Suedia po synon avancimin në finale të Botërorit. Të martën, Suedia përballet me Spanjën në ndeshjen gjysmëfinale që zhvillohet në stadiumin “Eden Park” në Auckland të Zelanës së Re. Vetë Asllani ka hyrë herë pas here në debatin për standarde më të larta në lojën e femrave, duke kërkuar ndryshime të mëdha në aspektin e barazisë së mundësive për vajzat që duan të luajnë futboll, e herë të tjera ka folur për çështje specifike teknike. Pak vjet më parë, ajo kërkoi një rregullore futbolli që të përdorej në çdo ndeshje të Ligës së Kampionëve, në një kohë kur klubet përdornin lloje të ndryshme topash. Tendenca e Asllanit për të thënë mendimin e saj ka bërë në mënyrë të pashmangshme krahasime me Zlatan Ibrahimoviqin. Ibrahimoviqi ishte në PSG kur Asllani iu bashkua klubit në vitin 2012, duke luajtur një rol në prezantimin zyrtar të Asllanit dhe ishte gjithashtu te Milani kur ajo nënshkroi për ekipin italian një dekadë më vonë. Asllani nuk i është shmangur asnjëherë krahasimeve.
“Ne kërkojmë shumë nga bashkëlojtarët tanë”, tha Asllani kur u prezantua te Milani. “Ka të bëjë me vullnetin për të fituar gjatë gjithë kohës. Kjo është ajo që Ibra solli në Milano dhe është ajo që dua të sjell edhe unë”.
Disa nga citimet e Asllanit mund të ishin thënë lehtësisht nga Ibrahimoviqi. Po ashtu, ata kanë të njëjtin idhull: Ronaldon. Sulmuesin brazilian, megjithëse Asllani haptazi pranon se preferon Cristiano Ronaldon para Messit. Lidhja tjetër me Ibrahimoviqin, natyrisht, është se të dy kanë rrënjë familjare në Ballkan.
Pritja e gjatë për suksesin e madh
Trashëgimia e Asllanit vështirë se mund të ishte më e qartë nga emri i saj; prindërit e saj u shpërngulën në Suedi një vit para se ajo të lindte. Asllani ka folur me krenari për Shqipërinë dhe Kosovën, ka bërë tatuazh shqiponjën dykrenore shqiptare në kyçin e këmbës dhe ka festuar duke e bërë me duar simbolin e shqiponjën, pas një goli ndaj Ukrainës në vitin 2018. Gerhardsson ka besim të madh te lojtaret e tij në këtë Botëror, shumë rrallë ngrihet nga stoli për të riorganizuar taktikat. Në ndeshjen e fazës së grupeve kundër Italisë, Suedia nuk po luante mirë në 20 minutat e para dhe në dy raste të veçanta, lojtaret u mblodhën së bashku në qendër të fushës për të diskutuar se si të reagonin. Asllani ishte gjithmonë në qendër të debatit. Roli i Asllanit është i rëndësishëm. Ajo mban numrin 9, megjithëse Suedia është unike në dhënien tradicionale të këtij numri mesfushorit dhe jo qendërsulmuesit. Prandaj, kur Suedia publikon 11-shen e saj startuese në rrjetet sociale, Asllani përshkruhet si mesfushore në sistemin 4-3-3. Ajo njihet si lojtar që bën presion të jashtëzakonshëm te kundërshtari. Po ashtu, bën pasime të shpejta dhe gjatë gjithë kohës e kërkon topin ta ketë në këmbë. Është e njohur edhe për depërtimet e saj nga krahët, si dhe për të krijuar hapësira për bashkëlojtaret e saj. Me një fjalë, Asllani në fushë edhe një lojtare që luan rolin e numrit 10-të, duke u kujdesur për ekipin e saj, qoftë në sulm apo edhe në mbrojtje.
“Ajo ka një vizion kaq të mirë për lojën”, tha Gerhardsson verën e kaluar. “Ajo është jashtëzakonisht e mirë në punën në mbrojtje”.
Asllani kritikohet ndonjëherë për mungesën e kontributit të saj në gola, dhe ka disa që sugjerojnë se kjo skuadër duhet të ndërtohet rreth saj. Por presioni i Asllanit në fushë, e ka bërë atë lidere të kësaj skuadre. Në fitoren ndaj Japonisë javën e kaluar, Asllani iu afrua një prej golave më të mirë të turneut me një akrobacion nga distanca, por që topi u prit nga portierja Ayaka Yamashita. Ndoshta, Suedia mund të konsiderohet se ende nuk është gati për çmimin më të madh të futbollit por deri në fund të kësaj jave, Asllani thjesht mund ta ketë udhëhequr vendin e saj drejt suksesit në Kupën e Botës. Asllani ka 170 paraqitje dhe 44 gola për Suedinë, ndërsa në nivel klubesh ka luajtur edhe për Real Madridin, Linkopingsin, Manchester Cityn, Kristianstadsin e Chicago Red Stars. /The Athletic/