Kosova pret rritje të rasteve të reja me COVID-19

Për disa javë në Kosovë rastet me COVID-19 do të rriten, ka paralajmëruar kryeministri, Avdullah Hoti. Në një deklarim të së shtunës, teksa bënte ftesë për masa shtesë, Hoti ka thënë se në prag të festave Kosova është në rrezik të përhapjes së infeksionit për shkak të lëvizjeve të qytetarëve.

Duke folur për trendin në rritje në Evropë dhe rajon, Hoti ka thënë se “kjo nënkupton se për disa javë edhe tek ne rastet do të rriten”.

Ai të shtunën, ndër të tjera, njoftoi se ka kërkuar nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës që përmes ambasadave të njoftohen bashkatdhetarët për masat që janë në fuqi në Kosovë dhe kërkesat e vendeve përkatëse kur ata të kthehen në vendet ku jetojnë e punojnë. E, të shtunën në vend janë futur afro 10 mijë bashkatdhetarë, vetëm nëpërmjet Aeroportit të Prishtinës, ndërsa kolona të gjata të veturave janë vënë re edhe në pikat kufitare me Serbinë. Ardhja e diasporës është cilësuar e rëndësishme edhe për ekonominë e dërrmuar nga pandemia.

Paralajmërimi për rritjen e rasteve vjen në kohën kur në vend ka pasur ulje të rasteve, pas një vale të fuqishme që nga fillimi i nëntorit. Aktualisht në vend janë 11 mijë e 208 raste aktive nga 48 mijë e 682 të regjistruar deri tash. 1248 është numri i atyre që s’kanë arritur të mbijetojnë në përballjen me virusin.