Përfaqësuesja e Kosovës në futboll ka pësuar rënie në renditjen e përgjithshme botërore të FIFA-s, të publikuar të enjten.
“Dardanët” aktualisht zënë pozitën e 117-të në ranglistë me 1.158 pikë, një pozitë më poshtë se që ishin muajin e kaluar.
Kjo rënie është pasojë e rezultateve negative të marra në muajin tetor. Më 8 tetor, Kosova humbi nga Maqedonia e Veriut në plejofin e Ligës së Kombeve 2:1, që ishte mundësi e mirë për të vazhduar ëndrrën për kualifikim në Evropianin e vitit të ardhshëm.
Tri ditë më pas, Kosova në stadiumin “Fadil Vokrri” humbi nga Sllovenia me rezultatin minimal 1:0, derisa më 14 tetor, barazoi pa gola në udhëtim me Greqinë. Të dy ndeshjet ishin të vlefshme për Ligën e Kombeve – C.
Rënie, për tri pozita, në ranglistën e FIFA-s ka pësuar edhe Shqipëria, që tash renditet në vendin e 69-të, me 1.345 pikë.
“Kuqezinjtë” në muajin tetor i luajtën dy ndeshje, ndaj Kazakistanit e Lituanit, dhe që të dyja përfunduan me rezultat identik 0:0,
Ranglistën e FIFA-s e kryeson Belgjika, e përcjell nga Franca dhe Brazili.