“Kosova një tokë ku lindën manastiret madhështore ortodokse serbe”, ka shkaktuar tërmet brenda Qeverisë së Kosovës

Qeveria e Kosovës e ka sponsorizuar një artikull në revistën e njohur franceze “Petit Fute” si vend ku lindën manastiret ortodokse serbe.

Revista franceze që promovon guida turistike dhe prezanton vende për t’u vizituar, me financim të Qeverisë së Kosovës ka publikuar një artikull për Kosovën ku, pos tjerash, thuhet se Kosova “gjithashtu ka qenë një tokë bizantine ku lindën manastiret e saj madhështore ortodokse serbe”.

Në këtë artikull të sponsorizuar nga Agjencia Kosovare për Promovimin e Investimeve (KIESA) Kosova paraqitet si vend i lashtë, por nuk kuptohet qëllimi i qeverisë e cila në këtë artikull të sponsorizuar e paraqet Kosovën vend ku lindën kishat ortodokse serbe.

Madje, artikulli gjithashtu nuk e prezanton mirë Kosovën në një pjesë, duke u thënë se “Ky komb i ri është në (ri)ndërtim të plotë.  Sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, Kosova ishte vendi më i varfër në Evropë në vitin 2021”, por më pas shtohet se “një  shprese frynë mbi Kosovë nga zgjedhjet e shkurtit”.

“Njerëzit e parë më pak se 9000 vjet më parë.  Megjithatë, historia e këtij kombi të vogël në ndërtim është e pasur dhe komplekse.  Sepse Kosova ka pritur në tokën e saj aq shumë popuj dhe ushtri, nga fiset paleo-ballkanike të neolitit e deri tek ushtarët amerikanë të NATO-s.  Ajo gjithashtu ka qenë një tokë bizantine ku lindën manastiret e saj madhështore ortodokse serbe.  Sot, përderisa flamuri amerikan valon pothuajse kudo në Kosovë, kjo është për shkak se të parat janë Shtetet e Bashkuara ato që e mbështetën krijimin e shtetit të Kosovës, në vitin 1998. Ky komb i ri është në (ri)ndërtim të plotë.  Sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, Kosova ishte vendi më i varfër në Evropë në vitin 2021. Por një  shprese frynë mbi Kosovë nga zgjedhjet e shkurtit”, thuhet në këtë artikull në faqen 95 të revistës “Petit Fute”.

Periskopi ka mësuar se artikulli i publikuar ka shkaktuar tërmet brenda Qeverisë së Kosovës, ku i gjithë faji ka rënë mbi ministren e Industrisë Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari.

Burimet bëjnë të ditur se kryeministri pritet të marrë masa ndaj ministres Hajdari, pasi artikulli është publikuar nga Agjencia që është nën ombrellën e kësaj ministrie.