Përfaqësuesja e Kosovës do t’i zhvillojë dy ndeshje miqësore në muajin nëntor, disa ditë para fillimit të Kampionatit Botëror.
Grumbullimi i Dardanëve do të filloj më 14 nëntor, derisa sfidat do të jenë ndaj Armenisë dhe Ishujve Faroe.
Të dyja sfidat do të zhvillohen në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ në kryeqytet, derisa e para ndaj Armenisë luhet më 16 nëntor, derisa ajo e dyta me Ishujt Faroe tre ditë më vonë.
Por në këtë grumbullim pritet të ketë shumë risi në listën e përzgjedhësit të Kosovës, Alain Giresse.
Trajneri francez nga e hëna deri në të mërkurën ka telefonuar yjet kryesorë të Kosovës për t’i treguar se nuk do t’i grumbullojë për këto dy miqësore.
Telegrafi ka mësuar ekskluzivisht se Giresse ka telefonuar dhjetëra futbollistë që kanë bartur barrën kryesore në ndeshjet e fundit për t’i konfirmuar se do t’i lë pushim për këto dy sfida, pasi qëllimi i tij është t’iu jap rast futbollistëve që kanë luajtur më pak dhe do të ketë emra të rinj në listë.Reklama
Kapiteni i Dardanëve, Amir Rrahmani nuk do të grumbullohet shkaku i lëndimit, derisa bashkë me të nuk pritet t’i bashkohen Kosovës në këtë grumbullim as futbollistët kryesorë si Muriqi, Hadergjonaj, Vojvoda, Rashani, Celina, Rashica, Dresevic, Aliti, Bytyqi, Muslija, Zeneli e të tjerë.
Telegrafi ka marrë vesh se në këtë grumbullim do të ketë disa emra të rinj te Përfaqësuesja e Kosovës, futbollistë që nuk janë ftuar kohëve të fundit apo emra që do t’i bashkohen për herë të parë Dardanëve.
Pritet që nga Giresse të ketë edhe ftesa për lojtarët nga Superliga e Kosovës ku së fundmi ishin grumbulluar Lumbardh Dellova, Lindon Emërllahu e Ilir Krasniqi.
Kësaj treshe pritet t’i bashkohet edhe Armend Thaqi e futbollistë të tjerë nga skuadrat e Superligës së Kosovës.Reklama
Gjithashtu në listë pritet të jenë edhe dy ish-futbollistët e Ballkanit që tani po luajnë me plot sukses në Evropë si Jetmir Topalli që po shkëlqen në Superligën e Turqisë me Istanbulspor apo Arbër Hoxha në atë të Kroacisë me Slaven Belupo.
Trajneri i Kosovës, Alain Giresse pritet që ta publikojë listën me futbollistët e ftuar për këto dy takime në ditët e ardhshme. /Telegrafi/