Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, ka njoftuar të mërkurën për KOHËN se Përfaqësuesja e Kosovës do t’i ketë dy ndeshje miqësore në muajin mars të vitit të ardhshëm. Ademi ka theksuar se një ndeshje do ta zhvillojnë në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë dhe një tjetër jashtë vendit. Dy ndeshjet miqësore Ademi thotë se do të drejtohen nga përzgjedhësi i ri i Kosovës, emrin e të cilit ka thënë se do ta bëjë të ditur para se të caktohen kundërshtarët e “Dardanëve”.
“Sigurisht se jemi duke punuar për të gjetur dy kundërshtarë për muajin mars, por ende nuk janë definuar të gjitha detajet. Megjithatë, mund të konfirmoj se janë dy ndeshje miqësore që planifikojmë t’i zhvillojmë në mars, në mënyrë që selektori i ri ta shohë ekipin nga afër para se të nisim ciklin e ri të Ligës së Kombeve”, ka thënë Ademi të mërkurën për KOHËN.
Më herët, gjatë ditës së mërkurë, Përfaqësuesja e Shqipërisë konfirmoi se do të luajë ndeshje miqësore me Spanjën në muajin mars të vitit të ardhshëm. Kjo ndeshje do të luhet në Spanjë më datën 26 mars dhe do të jetë e para për Shqipërinë në vitin 2022. Kreu i FFK-së, Ademi, insiston se kundërshtarët do të jenë të përshtatshëm për Kosovën dhe se do të shërbejnë për përgatitje për edicionin e tretë të Ligës së Kombeve. Shorti i edicionit të tretë i Ligës së Kombeve është tërhequr javë më parë. Kosova tani luan në Ligën C, që është niveli i tretë. Liga e Kombeve është garë e re e Konfederatës Evropiane të Futbollit (UEFA). Kosova është pjesë e grupit të dytë të Ligës C së bashku me Greqinë, Irlandën e Veriut dhe fituesin e ndeshjeve mes Qipros e Estonisë. Kosova nuk ka pasur rezultate të mira gjatë vitit 2021. Ka mbetur e fundit në grupin kualifikues për Botërorin 2022 pas Spanjës, Suedisë, Greqisë e Gjeorgjisë. Në mungesë të rezultateve Kosova shkarkoi selektorin Bernard Challandes dhe ndeshjen miqësore ndaj Jordanisë dhe atë kualifikuese për Botëror ndaj Greqisë e udhëhoqi ndihmësi i Challandesit, slloveni Primozh Gliha. Në Ligën C të Ligës së Kombeve nuk ka përfaqësuese të nivelit të Spanjës e Suedisë. Por ka përfaqësuese të nivelit të Greqisë me të cilën përballet Kosova, apo përfaqësuese si Irlanda e Veriut, që vlerësohet më e fortë se Greqia. Gliha është kandidat për ta vazhduar punën te Kosova, ndërsa në opsion janë edhe legjenda e Holandës, Marco van Basten dhe gjermani Felix Magath. Më herët është njoftuar se në fillim të vitit të ardhshëm do të bëhet një listë e ngushtë prej të gjithë kandidatëve, përpara se drejtuesit e FFK-së t’i fillojnë negociatat. Ndër emrat e tjerë të përfolur si kandidat janë edhe Alexander Frei, Martin Andermatt, Thorsten Fink e disa të tjerë. Por, më të përfolurit janë Gliha, Van Basten dhe Magath.
“Ende nuk jemi përcaktuar për selektorin e ri, por sigurisht se do të jetë një emër që do t’i përshtatet ekipit tonë. Pritjet sigurisht që i kemi më të mëdha, pra të arrijmë të fitojmë grupin dhe të arrijmë rezultate më të mira në kualifikimet për Evropian”, është shprehur Ademi.
Kualifikimet e rregullta për Evropianin e vitit 2024 Kosova do t’i zhvillojë nga marsi i vitit 2022 deri në nëntor të vitit 2023.