Edon Zhegrova ka shënuar gol të bukur në Zvicër, ndërsa Amir Rrahmanit i kanë dalë telashe të papritura në Itali.
Një ditë para grumbullimit më të rëndësishëm të Përfaqësueses së Kosovës në futboll, selektori Bernard Challandes ka marrë sinjale të ndryshme nga lojtarët. Përfaqësuesja e Kosovës në futboll nis të hënën (sot) stërvitjet për ndeshjen ndaj Maqedonisë së Veriut, që luhet të enjten e që i takon gjysmëfinales së plejofit për kualifikim në “Euro 2020”.
Ndeshja e së enjtes në Shkup vlerësohet më e rëndësishmja e Kosovës deri më tani. Gjendja aktuale e Përfaqësueses është larg prej optimales. Milot Rashica nuk është ftuar, ndërsa ai vazhdon t’i mungojë Werderit për shkak të një lëndimi të pësuar një muaj më parë, pikërisht në ndeshje të Kosovës. Bernard Berisha nuk është ftuar, për shkak të veprimit fyes ndaj Challandesit në ndeshjen e kaluar, kurse me shumë mundësi nuk do të grumbullohet as kapiteni i dytë dhe lojtari kryesor në mbrojtjen e Kosovës, Amir Rrahmani.
Skuadra e Rrahmanit, Napoli, është dashur të luante të dielën mbrëma ndaj Juventusit. Por te Napoli janë dy lojtarë të prekur me COVID-19 dhe për këtë arsye ndeshja nuk është luajtur. Amir Rrahmani, që është në pritje të debutimit për Napolin në Serie A, me shumë gjasa duhet të izolohet dhe kështu do të humbë ndeshjen më të rëndësishme të “dardanëve”.
“Gjasat janë të vogla që të jem me Kosovën në ndeshjet e radhës. Sipas të gjitha gjasave nuk do të mund të jem pjesë e Kosovës në këto ndeshje. Jam në pritje, të shoh se çfarë do të ndodhë, por gjasat janë të vogla”, ka thënë Rrahmani të dielën mbrëma për KOHËN.
Një tjetër lojtar i rëndësishëm mund t’i mungojë Kosovës. Bëhet fjalë për sulmuesin e qendrës, Vedat Muriqi. Muriqi pak ditë më parë ka nisur stërvitjet me Lazion, por nuk ka luajtur që nga 19 korriku. Muriqi ka ndërruar skuadër, ka kaluar koronavirusin, ndërsa po sanon ende një lëndim. Ai është ftuar nga Kosova, por nuk dihet nëse do të jetë i gatshëm në aspektin fizik.