Kosova fiton ndaj Izraelit – rriten shpresat për kualifikim


Kosova ka arritur ta marrë fitoren e dytë në ciklin kualifikues për Kampionatin Evropian. “Dardanët” mposhtën në shtëpi Izraelin me rezultat 1:0, duke mbajtur gjallë shpresat e vogla për kualifikim.

Kosova zhvilloi një pjesë të parë më të mirë se mysafirët ku edhe shënuan golin, teksa arritën ta ruanin rezultatin deri në fundin e takimit.

Golin e fitores e shënoi sulmuesi vushtrrias, Milot Rashica. Ai realizoi në minutën e 41-të të ndeshjes pas asistimit të Vedat Muriqit.

Golashënuesi më i mirë i Kosovës, Vedat Muriqi u detyra të largohet më herët nga fusha e blertë, për shkak të një lëndimi.

Për Kosovën kjo është fitorja e dytë në kampanjën kualifikuese për Kampionatin Evropian nga tetë ndeshje të zhvilluara.

Ndonëse mundësitë janë shumë të vogla për kualifikim, Kosova ka akoma shpresat.

“Dardanët” do të zhvillojnë edhe dy ndeshje deri në përfundimit të ciklit kualifikues. Do të përballen në udhëtim me Zvicrën, ndërsa do të presin në shtëpi Bjellorusinë.

Pas tetë ndeshjeve, Kosova ndodhet në pozitën e katërt në Grupin I me 10 pikë.