SHBA i kanë kërkuar Kosovës e Shqipërisë të strehojnë përkohësisht shtetas afganë pas situatës së krijuar atje dhe marrjes së pushtetit nga talebanët.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është shprehur, se më 16 korrik është kontaktuar nga ambasadori amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett, i cili ia ka përcjellë kërkesën e presidentit amerikan Joe Biden, që Kosova të strehojë përkohësisht civilët afganë, kërkesë të cilën ajo thotë, se e ka pranuar “pa asnjë hezitim”.
“Pa asnjë hezitim apo kushtëzim të vetëm, kam dhënë pëlqimin tim për një operacion të tillë humanitar, duke u nisur së pari nga parimi njerëzor se nuk i mbyllen dyert atyre që pa fajin e dëshirën e tyre janë të detyruar të lënë vatrat e tyre për t’i ikur përndjekjeve dhe për të shpëtuar jetë; së dyti, për shkak se si anëtare e denjë e komunitetit të shteteve të lira, Kosova e respekton të drejtën ndërkombëtare dhe obligimin që rrjedh nga ajo për mos t’i mbyllur derën refugjatëve; dhe e treta, për shkak se ne duhet t’u qëndrojmë miqve tanë, e sidomos Shteteve të Bashkuara në krah, ashtu siç na qëndruan ata neve në të mirë e në të keq”, shkroi Vjosa Osmani përmes një postimi në Facebook.
Edhe Shqipëria do të strehojë disa qindra afganë që kanë punuar me strukturat amerikane dhe ato të institucioneve të tjera ndërkombëtare në vendin e tyre. Këtë e konfirmoi kryeministri Edi Rama, në një postim në Facebook. “Eshtë e vërtetë po, se ditët e fundit qeveria amerikane i ka kërkuar Shqipërisë të vlerësojë nëse mund të shërbejë si një vend tranzit, për një numër të caktuar emigrantësh politikë afganë, të cilët destinacion fundor kanë Shtetet e Bashkuara. Dhe padiskutim që ne nuk do të themi jo”, shkroi kryeministri Rama. Ai rikujtoi se vite më parë Shqipëria ka bërë të njejtën gjë dhe me afro 2 mijë muxhahedinë, anëtarë të opozitës iraniane të cilët jetojnë në një zonë pranë Tiranës dhe Durrësit.
Grup pune për organizimin e operacionit
Qeveria e Kosovës sipas presidentes ka formuar një grup punues që do të merret me çështjet organizative, në bashkëpunim me partnerët amerikanë. “Qytetarët afganë do ta kenë të kryer të gjithë vlerësimin e sigurisë nga ana e Shteteve të Bashkuara, sepse ata edhe ashtu do të qëndrojnë vetëm përkohësisht në Kosovë deri sa të rregullohet dokumentacioni i tyre për vizat e emigrimit për në SHBA, ku do të vendosen pastaj”, tha presidentja Osmani.
Gatishmërinë e institucioneve të Kosovës që të strehojnë civilë afganë e mbështetën të gjithë udhëheqësit politik në opozitë. Qeveria e Kosovës përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ndërkaq, njoftoi se janë duke punuar me intensitet të lartë për identifikimin e shtetasve të Kosovës që ndodhen atje dhe ofrimin e ndihmës për largim.
“Lidhur me këtë është hapur edhe një linjë emergjente me numër +383 45 492 316, ku mund të lajmërohen të gjithë shtetasit tanë, për të marrë sa më parë udhëzimet dhe ndihmën e duhur. I sigurojmë shtetasit tanë, të cilët ndodhen ende në Afganistan, se së bashku me partnerët tanë ndërkombëtarë jemi duke shfrytëzuar të gjitha rrugët dhe mjetet për të mundësuar një evakuim të sigurtë të të gjithëve”, thuhet në njoftimin e MPJ-së së Kosovës.