Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se ky është provokimi i radhës i Serbisë dhe luftë hibride e saj. E Serbia është arsyetuar duke thënë se ushtrinë në kufi e çoi për ta penguar kontrabandën me dru. Njohës të sigurisë thonë se reagimi i kryeministrit është i drejtë dhe i matur dhe se Serbia ka për synim të mbajë nën presion Kosovën dhe bashkësinë ndërkombëtare.
Veprim me qëllim të nxitjes së tensioneve e ka quajtur kryeministri i Kosovës afrimin e forcave serbe rreth 50 metra afër kufirit me Kosovën, në afërsi të fshatrave kufitare të Kamenicës.
Në një reagim në Facebook, të shtunën mbrëma, ai ka shkruar se këto trupa u larguan pasi e vërejtën se institucionet e Kosovës po i përcjellin lëvizjet e tyre.
“Serbia sot (e shtunë v.j.) ka provokuar sërish duke lëvizur trupat e saj rreth 50 metra afër vijës kufitare me Kosovën, në territorin e Komunës së Kamenicës. Institucionet përkatëse të sigurisë së Republikës së Kosovës kanë detektuar menjëherë këto lëvizje provokuese nga ushtria e Serbisë, të cilat kanë për synim nxitjen e tensioneve. Kur e kanë parë që i kemi vërejtur dhe xhiruar, kanë ikur me shpejtësi e janë larguar për në brendi të territorit të tyre….Ndërkohë, Serbia vazhdon të nxisë tensione nëpërmjet veprimeve hibride, duke synuar destabilizimin e rajonit, megjithëse hapësira për këto manovra po i ngushtohet dita-ditës”, ka shkruar Kurti.
E Serbia është arsyetuar se ushtria po kryente aktivitete të rregullta.
Në një komunikatë të lëshuar më 13 tetor, autoritetet serbe kanë akuzuar Kurtin për “vazhdim të fushatës dezinformuese kundër ushtrisë dhe forcave serbe të sigurisë”.
“Në postimin në rrjetet sociale shihen pjesëtarët e forcave të armatosura të Serbisë në zonën e sigurisë tokësore duke kryer detyra të rregullta për sigurimin e linjës administrative, në përputhje me marrëveshjet ushtarako-teknike dhe të gjitha marrëveshjet e tjera të nënshkruara”, është thënë në njoftim.
Mes të tjerash, është përmendur që zyrtarë ushtarakë që shihen nëpër fotografi kanë qenë duke parandaluar kontrabandën.
“Autoritetet e sigurisë me aktivitetet e tyre kanë ndalur aktivitetet ilegale të bartjes së lëndëve drunore në territorin e Kosovës, me ç ‘rast hajdutët e druve kanë ikur në Kosovë”, është thënë në reagim.
Njohësi i sigurisë, Avni Islami, ka thënë se reagimi i kryeministrit është i drejtë dhe i matur.
Ai ka thënë se Serbia me veprime të tilla ka për synim të mbajë nën presion Kosovën dhe bashkësinë ndërkombëtare.
“Provokimet e tilla nuk mendoj se do të kenë veprim ose aksion ose ndërhyrje brenda territorit të Kosovës, por është provokim psikologjik ndaj shtetit të Kosovës, sepse çdo ndërhyrje e çizmes e ushtarit serb është një provokim ndaj Aleancës Veriatlantike, sepse vetë kjo e fundit është garantuese e sovranitetit dhe integritetit territorial tokësor e ajror, andaj çdo cenim i sovranitetit do të ishte cenim ndaj Aleancës Veriatlantike”, ka thënë Islami.
Serbia në disa raste ka afruar ushtrinë afër kufirit, madje ka dislokuar edhe pajisje të rënda ushtarake. Për herë të fundit në kohën e sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit.
Shkaku i këtyre veprimeve, së fundi kryeministri Albin Kurti ka kërkuar nga NATO-ja që ta kthejë zonën tokësore të sigurisë në një perimetër prej 5 kilometrash përgjatë kufirit të Kosovës me Serbinë.
Por misioni i KFOR-it në Kosovë në një përgjigje për KOHËN nuk e ka përmendur mundësinë e rikthimit të zonës së sigurisë me Serbinë, e cila u hoq plotësisht në vitin 2015.
Në KFOR kanë deklaruar vazhdimisht se situata e sigurisë është e qetë dhe se kanë komunikim të mirë e korrekt me të gjitha forcat e armatosura në rajon.