Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti pret në takim Ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu.
Republika e Turqisë është partner, mik dhe aleat i madh i Republikës së Kosovës, tha kryeministri Kurti, ndërsa shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme dhënë vendit tonë.
Ministri Çavuşoğlu theksoi mbështetjen e Republikës së Turqisë për pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës, sikurse edhe për anëtarësimin në organizata ndërkombëtare. Ai tha se Turqia e mbështet anëtarësimin e vendit tonë në Këshillin e Evropës dhe se Kosova është vend partner i NATO-s. Po ashtu, theksoi se Republika e Turqisë e ka shumë të rëndësishme paqen dhe stabilitetin dhe se nuk do të lejojë që rajoni i Ballkanit të kthehet në vitet e errëta të ’90-ta.
Ministri vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera bilaterale, rritjen e bashkëpunimit ekonomik dhe të investimeve.
Duke potencuar stabilitetin institucional dhe indikatorët pozitiv ekonomik, kryeministri Kurti ritheksoi përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për nxitjen e investimeve nëpërmjet zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik e social, dhe luftimit të krimit dhe korrupsionit. Ai veçoi synimin e Kosovës për anëtarësim në Partneritetin për Paqe të NATO-s ndërsa theksoi mundësitë për rritje të bashkëpunimit në mbrojtje dhe siguri.
U diskutua për shumë fusha të bashkëpunimit në ekonomi, energji, siguri dhe mbrojtje. U vlerësuan lidhjet e shumta mes dy vendeve, duke veçuar ato mes qytetarëve, që janë një urë për marrëdhëniet e forta dypalëshe.