Ministri i Financave dhe Transfereve Besnik Bislimi, ka nënshkruar sot dy Marrëveshje me Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë, ku njëra është Marrëveshja ndërmjet Kosovës dhe Komisionit Evropian, për pjesëmarrjen e Kosovës në Programin Fiskal 2020 të Bashkimit Evropian, si dhe Marrëveshja tjetër për pjesëmarrjen e Kosovës në Programin Dogana 2020 të Bashkimit Evropian. Marrëveshjet janë nënshkruar gjithashtu edhe nga drejtori i Përgjithshëm për Taksat dhe Unionin Doganor në Komisionin Evropian Stephen Quest.
Pjesëmarrja e Kosovës në aktivitetet e këtyre dy programeve është në përputhje me objektivat, kriteret, procedurat dhe afatet e përcaktuara në Rregulloren (BE) Nr. 1286/2013 të Parlamentit dhe Këshillit Evropian, dhe Rregulloren (BE) Nr. 1294/2013 të Parlamentit dhe Këshillit Evropian.
Programi “Customs 2020“ mbështet bashkëpunimin në mes autoriteteve doganore të BE-së si dhe vendeve kandidate dhe atyre potenciale kandidate. Ky program mundëson bashkëpunimin, trajnimin si dhe aktivitetet e përbashkëta të personelit doganor si dhe ofron financimin e sistemit të Teknologjisë Informative (TI) për të rritur shkëmbimin e informacionit në mes administratave doganore.
Sa i përket programit “ Fiscalis 2020”, politika tatimore e BE-së jep një kontribut të rëndësishëm në luftën kundër mashtrimit tatimor dhe mbështet mbledhjen e të ardhurave për buxhetet e BE-së dhe të shteteve anëtare. Është një element kryesor në përpjekjet për të forcuar Tregun e Brendshëm të BE-së. Bashkëjetesa e sistemeve kombëtare të taksave ngre çështje të taksimit të dyfishtë dhe shtrembërimit të konkurrencës. Programi “Fiscalis 2020” ndihmon administratat tatimore në vendet pjesëmarrëse të gjejnë zgjidhje për këto sfida.
Nënshkrimi i këtyre dy Marrëveshjeve është edhe një tregues për avancimin e Kosovës në procesin e integrimit evropian, si dhe i jep mundësi Kosovës, si vend kandidat potencial për anëtarësim në BE, të ketë qasje në përvojat dhe bashkëpunimin në këto dy fusha me shtetet e BE-së, dhe vendeve të tjera pjesëmarrëse në këto dy Programe.