Kosova 17 vjet shtet

Kosova sot feston 17-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë.

Më 17 shkurt 2008 në një mbledhje të jashtëzakonshme Kuvendi njëzëri shpalli Kosovën shtet të pavarur, sovran dhe demokratik.

Shpallja e Pavarësisë ishte rezultat i një procesi të gjatë dialogu. Por propozimi i presidentit Martti Ahtisaari nuk kishte marrë mbështetjen në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Edhe pse u kundërshtua nga Serbia e Rusia, Kosova deklaroi Pavarësinë, akt ky që mori mbështetje nga shtete të rëndësishme të botës, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Por akti i shpalljes së Pavarësisë nuk i dha fund dialogut që kohë pas kohe rrëshqiti edhe në diskutime për ndryshim kufijsh. Negociatat me Serbinë, të ndërmjetësuara herë nga Bashkimi Evropian e herë nga Shtetet e Bashkuara, kanë përbërë çështjen kryesore të politikës së jashtme, në përpjekjen për t’i dhënë fund sfidimit që Serbia ia bën shtetësisë së Kosovës.

E lëshimet në emër të këtij kompromisi kanë qenë të mëdha, të cilat kulmuan me ujdinë që Serbia e konsideron vegël për ushtrimin e kontrollit mbi një pjesë të territorit.

Megjithëse tani përjashtohet mundësia e diskutimeve për ndryshim kufijsh, të cilat ishin pjesë e diskursit gjatë vitit 2018-2019, rrezik po konsiderohet themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, për të cilin Kosova ka dhënë një zotim me marrëveshjen e 19 prillit të vitit 2013. Përveç Serbisë që insiston në këtë pikë, edhe ndërmjetësuesit e dialogut e kanë lëshuar topin në anën e palës kosovare, duka ia kërkuar modalitetet e Asociacionit. Qeveria që tani udhëhiqet nga partia që kishte kundërshtuar edhe me protesta këtë mekanizëm, nuk ka dhënë sinjale se mund të ndryshojë qëndrimin.

17-vjetori i shpalljes së Pavarësisë së Kosovës do të përcillet me shumë aktivitete institucionale.
Dita nis me mbledhjen qeveritare dhe më pas me ngritjen e flamurit.

Në orën 12:00 do të ketë parakalim të Forcave të Sigurisë së Kosovë dhe Policisë së Kosovës.