Ambasadori amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett, ka përgëzuar takimin në mes të kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti dhe krytarit të Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, të cilët janë pajtuar për pezullim të punimeve në rrugën Deçan-Plavë.
“Ndërtimi i autostradës Deçan-Plavë ka të bëjë më shumë sesa me tokën dhe qasjen. Ka të bëjë me zbatimin e vendimeve të gjykatës, respektimin dhe ruajtjen e të drejtave të të gjithëve për të praktikuar besimet e tyre, për të jetuar në paqe me fqinjtë dhe për të vlerësuar trashëgiminë e pasur të Kosovës dhe diversitetin e saj kulturor”, ka thënë Kosnett përmes një postimi në rrjetin social, Twitter.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës më 2016 kishte marrë vendim, sipas të cilit Manastirit të Deçanit i njihet e drejta e pronësisë për 24 hektarë tokë. Por, ky vendim nuk është zbatuar asnjëherë nga ana e kësaj komune.
Zyrtarë të institucioneve ndërkombëtare në Kosovë, në vazhdimësi kanë bërë thirrje që të respektohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese.
“Bashkëpunimi dhe përkushtimi për të gjetur zgjidhje që respekton vendimin e gjykatës, është rruga e vetme që çon drejt zgjidhjes së vërtetë”, ka shtuar mes tjerash ambasadori amerikan.
Përgjatë fundjavës presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka thënë se Beogradi do të kërkojë “pezullim urgjent dhe të përhershëm të punimeve të ndërtimit në zonën e mbrojtur të Manastirit të Deçanit” nga përfaqësuesit e Prishtinës dhe ndërmjetësuesit evropianë në takimin e ardhshëm në Bruksel.
Të shtunën në këtë komunë ka qëndruar komandanti i misionit të NATO-s në Kosovë, Michele Risi.
Ai ka zhvilluar takime me kryetarin Ramosaj dhe peshkopin Sava Janjiq në Manastirin e Deçanit.