Ambasadori amerikan në Kosovë, Philip S. Kosnett, në një intervistë për herë të parë pas zgjedhjeve parlamentare të 14 shkurtit ka folur edhe për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për të cilin Kurti po thotë se është prioriteti i katërt i platformës së qeverisjes së tij.
Kosnett, në intervistë, ka thënë se “bota nuk pret”, duke konsistuar në dhënien e prioritetit të dialogut me shtetin fqinj. Ai ka marrë për referencë diskursin për përshpejtimin e dialogut mes dy vendeve nga një qeverisje e kaluar amerikane, pa ia përmendur emrin.
“Shtetet e Bashkuara kanë investuar shumë gjatë 20 viteve të shkuara. Nuk ka pikë dyshimi në këtë. Kur zoti Kurti thotë, në rregull, dialogu, politika e jashtme, do ta lëmë atë pak më poshtë – përvoja ime është se bota nuk pret. Një qeveri amerikane e ka thënë këtë në të kaluarën. Nganjëherë vijnë në pushtet dhe thonë se dy vitet e para, katër vitet e para do të merremi me politikën e brendshme, e pastaj do të shqetësohemi për politikën e jashtme. Kjo është paksa e vështirë për t’u bërë, prandaj nuk do të lidhesha shumë për këtë pikë”, deklaroi diplomati amerikan në ‘Pressing’ në T7.
Ambasadori Kosnett ka thënë se nuk duhet të zhvleftësohet mundi i së kaluarës karshi arritjes së normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ai ka shtuar se ka biseduar me Kurtin lidhur me çështjen e dialogut.
“Po dhe e kam thënë privatisht dhe publikisht se, e them sërish, se duam të kemi marrëdhënie bashkëpunuese. Duam të dëgjojmë e jo vetëm t’ju flasim, por t’i dëgjojmë partnerët tanë në Kosovë dhe në Serbi, në rajon për çështje si dialogu, si integrimi ekonomik rajonal. Pra, dëshirojmë që të ecim përpara me mendje të hapur, e në këtë aspekt kemi thënë, Sekretari i Shtetit Blinken ka thënë se nuk do të hedhim poshtë tërë punën që është bërë për Ballkanin nga administrata paraprake. Duam t’i rishikojmë me kujdes, t’i rimendojmë dhe të mbajmë atë që e vlen për të mbajtur. Prandaj, gjithashtu do të inkurajoja edhe të tjerët që të jenë mendjehapur dhe të shqyrtojnë bashkërisht çka është bërë në të kaluarën që ia vlen për t’u ruajtur për të ardhmen”, deklaroi ndër të tjera diplomati amerikan në intervistën e dhënë për T7.