Ministria e Shëndetësisë e Malit të Zi thotë se shënimi i Kosovës me fusnontë në një dokument të sajin zyrtar ka qenë “gabim teknik”.
Pas lajmit të publikuar në media se Ministrja e Shëndetësisë në Qeverinë e Malit të Zi, Jelena Boroviniq Bojoviq në dokumentin për masat e reja kundër përhapjes së coronavirusit e kishte shënuar Kosovën me yll (fusnotë) që përdoret ngarendet që nuk e kanë njohur Kosovën, ka reaguar Ministria e Shëndetësisë së Malit të Zi duke thënë se ishte një gabim teknik.
“Gjatë përgatitjes së tabelës me masat reja në luftën kundër pandemisë së shkaktuar nga virusi Covid 19, ndodhi një gabim teknik, gjatë të cilit Kosova u shënua me një yll”, thuhet në deklaratë, transmeton portali malazez CdM.
Më tej në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë thuhet se menjëherë pasi është vërejtur gabimi shërbimi operativ i teknologjisë informative i Ministrisë së Shëndetësisë e kanë korrigjuar gabimin teknik, i cili mund të shihet në faqen e internetit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe në Gazetën Zyrtare të Malit të Zi.
Më herët, në një nga dokumentet e para të Qeverisë së re të Malit të Zi dhe të Ministrisë së Shëndetësisë së këtij vendi, i cili u referohet masave të reja kundër pandemisë COVID-19, Kosova u shënua me fusnotë.
Ndërsa, zëdhënësja e Qeverisë së Kosovës, Antigona Baxhaku tha për Telegrafin se raportet me Malin e Zi janë të shkëlqyeshme.
“Zyrtarisht nuk kemi informatë se ka ndryshuar diçka në raport me qasje ndaj Kosovës. Raportet me Malin e Zi janë te shkëlqyeshme, fqinjësore”, tha ajo.
Në krye të Ministrisë së Shëndetësisë në Mal të Zi është mjekja Jelena Boroviniq Bojoviq.
Qeveria e re e Malit të Zi, e udhëhequr nga Zdravko Krivokapiq, është zgjedhur më 4 dhjetor. Ajo përbëhet nga tre koalicione dhe dominohet nga partia Fronti Demokratik.
Kjo e fundit, në të kaluarën, është zotuar se do ta tërheqë njohjen e Kosovës. Qeveria e Malit të Zi e ka njohur pavarësinë e Kosovës disa muaj pas shpalljes së saj, në vitin 2008.