Pika e karburantit ‘Ex-Fis’ dy ditë më parë ishte zotuar se do të shiste naftë pa fitim për klientët e tij, në këtë periudhë kur çmimet e naftës ka shënuar rritjen më të madhe ndonjëherë në Kosovë, shkruan Gazeta Insajderi.
Përmes një njoftimi zyrtar, pompa ‘Ex Fis’ kishte njoftuar qytetarët se posedon stoqe të mjaftueshme të naftës që edhe në të ardhmen të kishte stabilitet.
Dhe kishte vendosur që naftën ta shes në treg pa fitim, vetëm sa për ta mbuluar koston e blerjes.
“Përkundër çrregullimit të tregjeve dhe rritjes enorme të çmimeve të derivateve, kompania jonë është duke praktikuar që në këtë periudhë të mbulohen vetëm kostot e blerjes. Posedojmë stoqe të mjaftueshme dhe sasi të kontraktuara që edhe në të ardhmen të kemi stabilitet dhe siguri në furnizim”, thuhet në njoftimin zyrtar të EX FIS.
Por, vetëm një ditë pas këtij njoftimi pompa e derivateve ‘EX FIS’ i kishte shtrenjtuar çmimet e naftës brenda ditës, duke mashtruar kështu qytetarët se nuk do t’i rris çmimet.
Gazetari Zekirija Shaban, ka postuar faturat e njërës nga pikat e karburantit të ‘Ex Fist’ të datë 9 mars, ku shihet se çmimi i tyre kishte ndryshuar brenda një ore, pavarësisht se kishin deklaruar se do të shisnin naftë pa fitim personal.
Në orën 9:40 minuta çmimi i naftës për litër kishte qenë 1.66 cent, kurse në orën 10:28 minuta të po të njëjtës ditë çmimi i naftës kishte fluturuar në 1.73 cent.