Në mesin e 21 të infektuarve me Covid-19 është edhe një infermiere, e cila ka qenë duke punuar në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Malishevë.
Ani pse ajo kishte pasur kontakte me stafin tjetër mjekësor, asnjë prej tyre nuk është izoluar, e puna në këtë objekt ka vazhduar normalisht këtë të martë, raporton KTV.
Drejtori i QKMF-së në Malishevë, Nuhi Morina, ka treguar se ka kërkuar nga IKSHP-ja që të testohen të gjithë ata që kanë pasur kontakte, mirëpo ende nuk kanë kthyer përgjigje.
Morina ka bërë të ditur se gjendja e të infektuarve me koronavirus është stabile, por, ka shtuar se, kanë mungesë të pajisjeve mbrojtëse.
Mbrëmjen e së hënës vetëm në këtë komunë janë konfirmuar 14 raste të reja, në mesin e tyre edhe fëmijë, e tashmë kjo komunë prin me më së shumti persona të infektuar me koronavirus.
Malisheva ka më shumë se një javë që është futur në karantinë, si masë për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.