Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), ka njoftuar të shtunën se janë konfirmuar 33 raste të reja me koronavirus, duke çuar kështu në 283 numrin e personave të prekur me COVID-19 në Kosovë.
Nga numri i përgjithshëm i personave të infektuar të shtunën, 20 janë nga Komuna e Prishtinës.
E, kjo ka bërë që edhe kjo komunë, me vendimin e Ministrisë së Shëndetësisë, bashkë me Ferizajn dhe Suharekën, nga sot të futen në karantinë.
Ndërsa, IKSHPK ka konfirmuar se deri më 11 prill 2020, janë të shëruar gjithsej 58 persona të infektuar, kurse me COVID-19 janë regjistruar shtatë raste të vdekjes, të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese.
Rasti i parë me koronavirus në Kosovë u shënua me datën 13 mars, kurse brenda një muaji ky numër ka arritur në 283, pavarësisht faktit se Qeveria e Kosovës nga 23 marsi ka marrë vendim për kufizimin e lëvizjes së qytetarëve.
Ndërkohë, me rekomandimin e Ministrisë së Shëndetësisë disa zona me persona të prekur nga koronavirusi janë futur në karantinë, si masë preventive ndaj pandemisë.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka njoftuar se në vazhdimësi janë duke u kontaktuar dhe mbikëqyrë të gjitha kontaktet e rasteve, si dhe kontaktet e kontakteve duke iu obliguar për vetëizolim dhe të kërkojnë ndihmë mjekësore nëse kanë simptome.
Sipas IKSHPK-së, deri më sot janë kontaktuar dhe janë nën mbikëqyrje 4.273 kontakte të rasteve.
Pavarësisht masave të ndërmarra dhe rekomandimeve të bëra nga Ministria e Shëndetësisë, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës dhe institucione të tjera shëndetësore, numri i të infektuarve me COVID-19 ka vazhduar të rritet.
Ndërkohë, ekspertë të shëndetësisë, infektologë, epidemiologë e mikrobiologë kanë ngritur alarmin te qytetarët që t’iu përmbahen këshillave dhe të qëndrojnë në shtëpi dhe të mbajnë distancën sociale, për të shmangur këtë pandemi.
“Masat restriktive (izolimi i rasteve, mbyllja e shkollave, ndalimi i tubimeve dhe ngjarjeve të ndryshme, distancimi i gjerë social përfshirë izolimin lokal dhe nacional) janë komponentë e rëndësishme në mbrojtjen e popullatës nga COVID-19. Imperial College of London, duke përdorur modelet matematikore, vlerëson se deri më 31 Mars, me masat e zbatuara restriktive në 11 shtete evropiane janë shmangur rreth 59.000 vdekje.
Sipas studimit vlerësohet se 7-43 milion njerëz janë infektuar nga virusi (deri më 28 Mars), i cili përfaqëson 1.9-11.4% të popullsisë së përgjithshme të Evropës”, ka thënë të shtunën mikrobiologu, Lul Raka, shkruan Telegrafi.
Sipas ekspertëve të shëndetësisë muaji prill në Kosovë do të jetë vendimtar për të shmangur një përhapje më masive të kësaj epidemie.
Ndërkohë, sot pritet që Ministria e Shëndetësisë të dalë me vendim të ri lidhur me kufizimin e lëvizjes së qytetarëve.