Ylli i Juventusit, Cristiano Ronaldo, e ka ndjekur hapin e bashkëlojtarëve të tij dhe ka pranuar që t’i ulet pagat për një shumë të barabartë me pagat e muajve mars, prill, maj dhe qershor të këtij viti, për t’i ndihmuar Juventusit ta përballojë krizën e shkaktuar nga koronavirusi.
Megjithatë, e ardhmja e tij afatgjate te gjiganti italian është vënë në dyshim nga mediumet italiane, pasi që dëmet e mëdha ekonomike që Juventusi i ka pësuar nga kjo pandemi bëjnë që fuqia financiare e klubit të zbehet dukshëm, transmeton Gazeta Express.
Sipas gazetës Il Messaggero, Juventusi është duke i shqyrtuar të gjitha mundësitë për ta përballuar në mënyrën më të mirë të mundshme këtë krizë shëndetësore, që po e dëmton klubin dhe mund të përfundojë duke e dëmtuar edhe pagën e lartë të Ronaldos.
Pesë herë fituesi i Topit të Artë, i cili u transferua në Allianz nga Real Madridi para dy vjetëve, paguhet 31 milionë euro në vit.
Juventusi mund të mos jetë në gjendje ta përballojë një pagë të tillë të madhe pas krizës së koronavirusit dhe kjo bën që të ketë tri skenare të mundshme për të ardhmen e tij te kampioni në fuqi i Italisë.
Portugezi mund të vendosë ta vazhdojë karrierën e tij diku tjetër duke u shitur për rreth 70 milionë euro, edhe pse ende nuk është raportuar për interesimin e ndonjë klubi për të.
Në anën tjetër, pasi që kontrata e tij përfundon në dy vjet, ai mund të vendosë ose të qëndrojë deri në vitin 2022 ose ta rinovojë kontratën edhe për një sezon tjetër.