Sikur shumica e bizneseve në vend, pandemia e shkaktuar nga koronavirusi ka dëmtuar tej mase edhe industrinë e sigurimeve në vend, pasi numri i policave të shitura nga kompanitë e sigurimeve ka rënë në minimum, deri sa në anën tjetër në rrugë janë numër i madh i automjeteve që po qarkullojnë, madje edhe pa regjistrim fare. Kjo pasi, prej kohësh nuk kanë punuar me kapacitete të plota Qendrat e Regjistrimit të Automjeteve që funksionojnë në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Administratës (MPBA).
Qendrat e Regjistrimit të Automjeteve, prej kohës kur janë shënuar rastet e para me Covi-19 në Kosovë dhe nisën masat mbrojtëse, janë lejuar të punojnë vetëm për raste urgjente dhe për këtë tashmë kanë nisur të bëhen ankesa.
Megjithëkëtë, edhe pse ende nuk është bërë një llogaritje e saktë e humbjes financiareve të kompanive të sigurimeve, drejtori i Shoqatës së Sigurimeve, Sami Mazreku, thotë se të hyrat gjatë kësaj kohe janë ulur për 50 për qind në raport me muajt e parë të vitit.
“Pasi që ne edhe në këtë moment ndodhemi në Pandemi, kompanitë ende nuk kanë llogaritur saktë se sa mund të jenë humbjet dhe nuk kemi të dhëna të sakta, por marrë në përgjithësi të hyrat gjatë kësaj kohe janë ulur mbi 50 % në raport me muajt e parë të vitit”, ka thënë Mazreku për FaktePlus.
Ai thotë se vendimi për mbylljen e Qendrave të Regjistrimit të Automjeteve ka ndikuar direkt në rënien e menjëhershme të shitjes së policave të sigurimit, e ku si pasojë numri i automjeteve të pa regjistruara po rritet.
“Mbyllja e Qendrave të Regjistrimit të Automjeteve në mënyrë automatike ka rritur tej mase numrin e automjeteve të paregjistruara në vend. Vetëm për muajin mars shitja e policave obligative është gati 20 mijë më pakë në raport me muajt paraprak, por situata në muajin prill është keqësuar edhe më shumë”, potencoi Mazreku.
E nga 4 maji, Ministria e Shëndetësisë, mori vendim për lehtësimin gradual të masave të vëna për mbrojtje nga Koronavirusi. Dhe tashmë me lehtësimin e këtyre masave, problematike nuk po shihet të jetë hapja e këtyre qendrave.
Mazreku ka thënë për FaktePlus se kanë kërkuar nga institucionet që të hapen këto qendra të regjistrimit dhe puna të nis me intensitet të shtuar.
“Pa tjetër se po. Ne ditë më parë kemi kërkuar nga institucionet e vendit që këto qendra të hapen, pasi që rritja e numrit të automjeteve ta pasiguruara përpos që shkakton humbje të madhe për institucionet e vendit, një gjë e tillë dëmton rëndë edhe kompanitë e sigurimeve”, theksoi ai.
Mazreku tregon edhe si ka ndikuar mbyllja e Qendrave të Regjistrimit të Automjeteve.
Ndërkaq, Qendrat e Regjistrimit të Automjeteve këtyre ditëve kanë punuar kryesisht për raste urgjente dhe janë marrë me automjete mjekësore dhe atyre për transport të mallrave, një gjë e tillë nuk ka funksionuar për qytetarët e rëndomtë.
Kështu të paktën janë ankesat e qytetarëve nga shumë qytete të Kosovës.
Mirëpo këto ankesa i ka hedhur poshtë MPBA, duke thënë se të gjitha qendrat kanë funksionuar, përjashtim ato në Viti, Malishevë dhe Klinë, të cilat kanë qenë në karantinë.
“Në të gjitha qendrat në përjashtim të komunave: Viti, Malishevë dhe Klinë që kanë qenë në karantinë, shërbimet e regjistrimit të automjeteve janë kryer pa asnjë problem për rastet mjekësore dhe rastet e regjistrimit të mjeteve për transport të mallrave. Për punën e qendrave është raportuar për çdo ditë për çka edhe janë prezantuar statistikat e regjistrimeve”, kështu kanë thënë për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus, nga MPBA.
Kurse eksperti i ekonomisë Safet Gërxhaliu ka thënë se është shqetësuese se Qendrat e Regjistrimit të Automjeteve nuk po funksionojnë me kapacitete të plota dhe merren vetëm me raste emergjente.
“Nëse kemi vazhdimësi të rritjes së qarkullimit të veturave në komunikacion dhe nuk kemi vetura të regjistruara dhe të siguruara në Kosovë dhe kemi rënie të inkasimit të të hyrave nga kompanitë e sigurimeve, kush do t’i kompensojë dëmet që mund të shkaktohen në aksidente që ndodhin në këtë kohë. Pra, duhet të hapen Qendrat e Regjistrimit dhe të mos kemi një ngufatje të një sektori, që në rrethana normale është një ndër shtyllat kryesore të zhvillimit ekonomik dhe financiar të Kosovës”, tha eksperti i ekonomisë Safet Gërxhaliu.
Më 4 maj në Kosovë, ka nisur faza e parë e lehtësimit të masave të izolimit kundër koronavirusit. Kështu nga ajo ditë kanë nisur të hapen gradualisht edhe një numër i bizneseve dhe një pjesë tjetër pritet të hapen gjatë ditëve në vazhdim.