Problemi i pasaportave po e përcjell Kosovën edhe në vitin 2023. Ndonëse kontrata për furnizim me pasaporta e dokumente tjera është nënshkruar në fund të muajit dhjetor, pajisja e qytetarëve me to s’ka filluar ende. Ministri Xhelal Sveçla e Zyra për Media e Ministrisë së Punëve të Brendshme kanë vazhduar të heshtin për këtë çështje.
Pajisja me pasaportë është bërë problematike për kosovarët viteve të fundit. Disa herë brenda vitit, qytetarëve u duhet të presin me javë për të marrë një dokument të tillë.
Me një problem të tillë ata po vazhdojnë të përballen edhe në këtë fillim vit. Edhe pse aplikimet për këto dokumente i kanë dorëzuar tash e sa javë, Ministria ende s’ua ka lëshuar në mungesë materiali. Shkaku i mungesës së pasaportave, shumë qytetarëve u kanë dështuar edhe terminet për viza.
Një kontratë për furnizim me dokumente të tilla është nënshkruar më 27 dhjetor të vitit 2022, por pajisja e qytetarëve s’ka filluar ende.
Gazeta Express ka pyetur Ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçlën dhe Zyrën për Media të kësaj Ministrie, lidhur me atë se a ka ndonjë datë kur qytetarët do të mund të shkojnë t’i tërheqin dokumentet dhe numrin e atyre që tashmë kanë aplikuar për pasaporta dhe që janë në pritje për t’u pajisur me to, por deri në momentin e publikimit s’kanë kthyer përgjigje. Pyetjet e njëjta i janë përcjellur disa herë MPB’së, por asnjëherë gazeta s’ka marrë përgjigje.
Kontrata që është nënshkruar në dhjetor ka vlerë 4 milionë e 21 mijë e 180 euro dhe i është dhënë kompanisë gjermane “Veridos GmbH”.
Kohëzgjatja e kësaj kontrate është për 12 muaj dhe parasheh furnizimin me dokumente blanko, si pasaporta, letërnjoftime dhe patentë shoferë.
Saktësisht, parashihet furnizimi me 290 mijë pasaporta të zakonshme, 270 mijë e 208 letërnjoftime elektronike TIP A, 7 mijë leje qëndrim TIP C, 125 mijë patentë shoferë dhe mirëmbajtja e sistemeve për 12 muaj.
Herën e fundit kur Ministri Sveçla ka folur për këtë problem, është muaji nëntor, në një seancë të Kuvendit të Kosovës.
Edhe aty ishte deklaruar tek pas interesimit të deputetëve të opozitës.
Sipas asaj që kishte thënë Sveçla, pajisja me pasaporta do të mund të bëhej tek në janarin e vitit 2023.
“Ministria e Punëve të Brendshme është në pritje për furnizim me dokumente personale, ku fillimisht në fund të këtij muaji do të furnizohemi me patentë shofer e letërnjoftime dhe pas dy muajve me pasaporta, gjithsej 73 mijë cope”, kishte thënë Sveçla, më 17 nëntor.
Ministri kishte treguar edhe rastet kur dikush mund të pajiset me pasaportë, pa pasur nevojë të presë.
“Çfarë ka bërë Agjencia e Regjistrimit Civil, është që duke pasur parasysh numrin e limituar të dokumenteve që i kemi në dispozicion, kanë prioritizuar lëshimin e dokumenteve për kategori me urgjencë, që do të tjhotë rastet e sëmundjeve, rastet e bashkimeve familjare, rastet e aktiviteteve sportive, diplomacia e këto kategori kanë prioritet, kurse për qytetarët e tjerë më vjen keq, por duhet t’ju përshtatemi rrethanave në të cilat po jetojmë dhe unë jam duke punuar jashtëzakonisht shumë edhe me kompaninë qe ajo sa më parë të sigurojë, të furnizojë vetveten me landën e parë dhe pastaj me dokumentacionin e nevojshëm për ta sjellë në Kosovë”.
Sveçla kishte thënë se mund ta bëjë publike edhe listën e personave që janë pajisur me pasaporta dhe arsyet.
“Ka një listë të profesioneve dhe arsyeve prioritare për t’u furnizuar me pasaporta dhe është duke e menaxhuar Agjencia për Regjistrimin Civil. Nuk kam kurrfarë telashe me ba publike kushdo që merr pasaportë dhe arsyen pse. Ekziton një numër i limituar që marrin pasaportë për të udhëtuar, këto janë urgjencat , Ekziston kontrata e cila është ende valide dhe me kohë janë bërë porositë”, kishte deklaruar Sveçla.