Kontesti kushtetues

Një kontest i ri kushtetues është prodhuar pas mocionit të mosbesimit kundër Qeverisë së drejtuar nga Albin Kurti, i votuar javën e shkuar.

Palët në kontest kanë interpretime konfrontuese mes vete, për zgjidhjen që duhet t’i japë fund krizës politike të krijuar: Lëvizja Vetëvendosje (LVV) që e drejton Qeverinë, e kundër së cilës u bë i gjithë spektri politik në Kuvend, insiston se pas mocionit vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme, ndërkaq presidenti Hashim Thaçi, i cili shihet si shtytësi i rrëzimit të Qeverisë, hapur ka shprehur synimet për ndërtimin e një qeverie të re dhe procedurën për këtë veçse e ka nisur, shkruan KOHA.

Pas takimeve që ka pasur në fillim të javës me liderë të partive që janë pjesë e Kuvendit, kreu i shtetit i ka ofruar partisë së parë të dalë në zgjedhje, LVV-së, mundësinë për ta dhënë kandidatin e ri për kryeministër.

Kërkesën e ka bazuar në nenin 95 të Kushtetutës që flet për zgjedhjen e Qeverisë, por i cili nuk i referohet diku situatës së pas mocionit. Mbështetur në një aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese, me të cilin është interpretuar ky nen, në rrethanën kur mandatari për formimin e Qeverisë dështon të sigurojë votat e nevojshme në Kuvend, ose kur subjekti politik që ka dalë fitues i zgjedhjeve vullnetshëm heq dorë nga mandatari, atëherë kreu i shtetit e ka në diskrecion që t’ia ofrojë mundësinë edhe ndonjë subjekti tjetër që është pjesë e Kuvendit, që ta propozojë kandidatin për kryeministër.