Studim i ri ka zbuluar se konsumimi i proteinave bimore në krahasim me ato shtazore mund të jetë shumë i dobishëm për shëndetin e zemrës.
Studimi, i botuar në “The American Journal of Clinical Nutrition”, ka sugjeruar se personat që konsumuan më shumë proteina bimore kishin rrezik 19% më të ulët për sëmundje të zemrës (CVD) dhe rrezik 27% më të ulët për sëmundje koronare të zemrës (CHD) krahasuar me ata që konsumuan më shumë proteina shtazore, ka raportuat “HealthLine”.
Pse proteinat bimore janë më të mira për zemrën
Studimi ka shqyrtuar të dhënat e 30 vjetëve mbi shëndetin e zemrës, dietën dhe mënyrën e jetesës së rreth 203 mijë pjesëmarrësve.
Studimi ka treguar se proteinat bimore ndihmojnë në parandalimin e CVD-së, ndërsa për parandalimin e CHD-së këto proteina janë akoma më efikase. Ky raport është shumë më i lartë sesa ai i dietës tipike amerikane, e cila mesatarisht ka një raport 1:3 konsumim të proteinave bimore krahasuar me ato shtazore.
“Një amerikan mesatar konsumon proteina bimore në raport me ato shtazore 1:3. Gjetjet tona sugjerojnë se një raport prej të paktën 1:2 është shumë më efektiv në parandalimin e CDV-së. Për parandalimin e CHD-së, raporti prej 1:1.3 ose më i lartë duhet të vijë nga proteinat bimore”, ka thënë autori i studimit Andresa Glenn, nga Universiteti i Harvardit, në komunikatë.
Proteinat bimore, që gjenden në ushqime si arrat, bishtajoret dhe drithërat e plota, janë të lidhura me rrezikun më të ulët për sëmundje të zemrës.
Këto proteina janë të pasura me yndyra të shëndetshme, fibra, antioksidantë dhe vitamina thelbësore, të cilat ndihmojnë në uljen e tensionit të gjakut, përmirësimin e nivelit të yndyrave në gjak dhe zvogëlimin e inflamacionit, të gjitha faktorë rreziku për sëmundjet e zemrës.
Si kalohet nga proteinat shtazore në ato bimore
Ekspertët sugjerojnë që shumica e njerëzve mund të përfitojnë nga ndryshimi i dietës, duke konsumuar më shumë proteina bimore.
Dr. Frank Hu, autori kryesor i studimit, tha që mishi i kuq e ai i përpunuar të konsumohen sa më pak, kurse bishtajoret e ushqimet e tjera bimore që përmbajnë proteina të konsumohen më shumë.
Ai thekson se ky ndryshim nuk është vetëm i dobishëm për shëndetin e njeriut, por gjithashtu edhe për planetin.
Christopher Gardner, ekspert i ushqimit nga Stanfordi, shpjegon se përfitimet shëndetësore nuk janë vetëm për shkak të proteinave, por edhe për shkak të profilit të përgjithshëm të lëndëve ushqyese në ushqimet bimore krahasuar me ato shtazore.
“Ushqimet shtazore nuk kanë fibra dhe janë burime të yndyrave të ngopura, të cilat rrisin rrezikun për sëmundje të zemrës. Proteinat bimorë janë të pasura me fibra dhe të varfra në yndyra të ngopura”, ka thënë ai.
Hapa të vegjël përfitime të mëdha
Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Shoqata Amerikane e Zemrës promovojnë dieta që theksojnë konsumimin e më shumë ushqimeve bimorë.
Dana Hunnes, dietologe e lartë në Universitetin e Kalifornisë, inkurajon njerëzit të fillojnë gradualisht të zëvendësojnë proteinat shtazore me ato bimorë.
“Filloni të shtoni më shumë proteina bimorë në dietën tuaj dhe të ulni ato shtazore”, ka këshilluar ajo.