Konsumimi i kafeinës përmirëson shëndetin vaskular

Studimi i ri, që është publikuar në “Rheumatology Journal”, ka sugjeruar se konsumimi i kafesë mund ta përmirësojë shëndetin e zemrës.

Sëmundjet vaskulare, dëmtimi i enëve të gjakut dhe pasojat që shkaktojnë sulm në zemër dhe arrest kardiak, janë disa nga problemet kryesore që shkaktojnë vdekjen e njerëzve në përgjithësi, shkruan  Medicalxpress.

Te pacientët me sëmundje reumatike inflamatore, të tilla si lupusi dhe artriti reumatik, këto rreziqe janë edhe më të mëdha.

Kafeja

Deri më tash, për mënjanimin e rrezikut nga këto sëmundje, doktorët kanë rekomanduar të mënjanohen faktorët rrezikues që janë inflamacioni, ilaçet me kortison, konsumimi i duhanit, kolesteroli dhe tensioni i lartë të gjakut.

Por, studiuesit nga Universiteti Sapienza në Romë të Italisë, të cilët janë përfshirë në studim kanë konkluduar se pacientët do të mund të jenë në gjendje ta përmirësojnë shëndetin e vaskular, duke bërë diçka, që në të vërtetë është mjaft argëtuese.

Rezultatet e laboratorit, si rezultat i këtyre hulumtimeve, sugjerojnë se kafeina që gjendet në kafe, çaje dhe kakao, në mënyrë aktive ndihmon qelizat që janë përgjegjëse për shëndetin vaskular. Janë grup qelizash që ndihmojnë regjenerimin e indeve të enëve të gjakut dhe që janë të përfshira në rritjen vaskulare.
 

Çaji i zi 

Dihet se konsumimi i ushqimit të pasur me vitaminë D (e cila gjendet te peshqit dhe vezët), vitaminës A (e cila është e pranishme në shumë fruta) dhe acide yndyrore të shëndetshme e kripa e paktë, luajnë rol në uljen e inflamacionit.

Shkencëtarët janë bërë kurioz për kafeinën gjithashtu. Bazuar në efektin stimulues që ka në trup, kafeina është edhe antiiflamatore e fuqishme pasi ndikon për të mirë te receptorët e qelizave të sistemit imunitar. Efekti i konsumimit të kafeinës në shëndetin kardiovaskular ka kohë që është duke u studiuar, ndërkohë që ka rezultate të ndryshme të analizave.
 

Kakao

Studiuesit kanë analizuar 31 pacientë me lupus pa rrezik të zakonshëm kardiovaskular duke përdorur një pyetësor rreth ushqimit për shtatë ditë. Pas një jave, studiuesit morën gjakun e pacientëve për të parë se sa të shëndetshme i kanë enët e gjakut. Ata gjetën se pacientët që konsumuan kafeinë patën shëndet më të mirë vaskular.

“Ky studim ka për qëllim që t’i informojë pacientët rreth rolit që ka ushqyerja në kontrollimin e sëmundjes. Do të jetë e nevojshme që këto rezultate të konfirmohen përmes një studimi më të gjatë, që ka për qëllim të zbulojë ndikim real që ka konsumimi i kafeinës në sëmundje”, ka thënë autorja e studimit Fulvia Ceccarelli.