Konsumimi i bajameve e ndihmon shëndetin e zorrëve


Konsumimi i një grushti bajame çdo ditë, rrit prodhimin e butiratit, përmirëson metabolizmin bakterial dhe ndikon pozitivisht në shëndetin e përgjithshëm.

Mikrobioma e zorrëve përbëhet nga mijëra mikroorganizma që jetojnë në zorrë. Ato luajnë një rol jetik në tretjen e lëndëve ushqyese dhe mund të kenë një ndikim pozitiv ose negativ në shëndetin tonë, duke përfshirë sistemin tretës dhe imunitar, shkruan portali “Neuroscience”.

Mekanizmat se si mikrobiomat e zorrëve kanë ndikim në shëndetin e njeriut janë ende duke u hetuar, por provat sugjerojnë se ngrënia e llojeve specifike të ushqimit mund të ndikojë pozitivisht në llojet e baktereve në zorrë ose në funksionin e tyre.

Studiuesit rekrutuan 87 persona të rritur të shëndetshëm, të cilët tashmë po hanin më pak se sasia e rekomanduar e fibrave dietike dhe që konsumonin ushqime tipike jo të shëndetshme, si çokollata apo patatet e skuqura.

Një mënyrë në të cilën mikrobiota e zorrëve ndikon në shëndetin e njeriut është përmes prodhimit të acideve yndyrore me zinxhir të shkurtër, siç është butirati. Këto molekula veprojnë si një burim karburanti për qelizat në zorrën e trashë, ato rregullojnë përthithjen e lëndëve të tjera ushqyese në zorrë dhe ndihmojnë në balancimin e sistemit imunitar.

Studiuesit zbuluan se butirati ishte dukshëm më i lartë tek personat që konsumonin bajame në krahasim me ata që ushqeheshin me produkte jo të shëndetshme.

Nuk u vu re asnjë ndryshim domethënës në kohën që i duhet ushqimit për të lëvizur deri në zorrë – megjithatë ata që hanin bajame të plota kishin shpeshtim të jashtëqitjes gjatë javës, në krahasim me grupet e tjera. Këto gjetje sugjerojnë se ngrënia e bajameve mund të ndikojë pozitivisht tek personat që vuajnë nga kapsllëku.

Hulumtimi po ashtu vërtetoi se ngrënia e bajameve të plota dhe të bluara përmirësoi dietën e njerëzve, duke pasur konsum më të lartë të acideve yndyrore të ngopura, fibrave, kaliumit dhe lëndëve të tjera ushqyese të rëndësishme.

Ekspertët shëndetësorë gjithashtu mendojnë se këto gjetje sugjerojnë që metabolizmi bakterial mund të përfitojë nga konsumimi i bajameve, në një mënyrë që ka potencialin të ndikojë në shëndetin e përgjithshëm të njeriut.