Rrjeti i Tensionit të Ulët ka plotësuar mozaikun e infrastrukturës së re të energjisë elektrike në Shkabaj të Obiliqit.
Aty, tashmë 180 konsumatorë që kanë shtëpitë në kodrën që çon drejt perëndimit, në kufirin ndërmjet komunës energjetike dhe kryeqytetit, po marrin shërbimet e nivelit më të lartë.
Ekipet e mirëmbajtës së KEDS-it po demontonin rrjetin e vjetër për t’ia shtuar hijeshinë asaj ane.
Banorët, që vrojtonin teksa kryhej një punë, benefitet e së cilës do t’ia vjelin vetë ata, shiheshin të gëzuar skaj rruge, në vapën përcëlluese të korrikut. “U kry! Rrjeti i vjetër ishte vërtetë në gjendje të rëndë dhe na sillte shumë telashe. Tash ka ndryshuar gjithçka. Na pret një dimër shumë më i qetë”, thonë banorët e entuziazmuar.
Me të kryer atë investim, ekipet e KEDS-it kanë filluar punën menjëherë në lagjen e Bahollëve, po në Shkabaj. Aty, projekti do të përfundojë brenda dy muajve të ardhshëm dhe përfitues do të jenë edhe rreth 200 konsumatorë të këtij fshati.
Nga këto investime gjatë kësaj vere që po bën kompania në atë fshat përfitues në total do të jenë rreth 380 konsumatorë ose mbi 1000 banorë të asaj ane, vetëm në tension të ulët.
Para disa kohësh KEDS kishte ndërtuar aty edhe linjën komplet të re të tensionit të mesëm, e cila derivon nga nënstacioni i Mazgitit në drejtim të Kodrës së Trimave të Prishtinës.
Këto investime janë në vazhdën e projekteve masive që po bën KEDS anekënd Kosovës. Vetëm në implementim janë mbi 250 projekte, të cilat kanë për qëllim që ta ngritin infrastrukturën e shpërndarjes së energjisë elektrike në nivelin më të lartë.