Konjufca: Shumica s’ka vullnet që vendi të shkojë në zgjedhje me dorëheqje të Qeverisë

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka thënë se shumicës parlamentare i mungon vullneti që vendi të shkojë në zgjedhje përmes dorëheqjes së Qeverisë. 

Në deklarimin për media, pas mbledhjes së Kryesisë, Konjufca ka thënë se deri më tani nuk është zhvilluar ndonjë takim në mes të partive politike për të diskutuar për datën e mundshme të zgjedhjeve, edhe pse sipas tij të gjitha partitë pajtohen që vendi të shkojë në zgjedhje. 

“Ky është një rast i rrallë ku të gjitha partitë pajtohen që të shkojnë në zgjedhje por nuk po arrin që kjo gjë të bëhet. Nuk po duket që është punë e frikës, por mungon vullneti i mazhorancës që kjo të ndodhë përmes një dorëheqje të Qeverisë, sepse nuk ka një arsye që të japë dorëheqje Qeveria. Qeveritë japin dorëheqje vetëm kur diçka nuk është duke funksionuar”, është shprehur ai. 

Ai ka thënë se i pengon fakti që Kuvendi e ka humbur fuqinë që t’i votojë marrëveshjet ndërkombëtare. 

“Shumica mund të votojë ligje, por mua më pengon që Kuvendi i Republikës së Kosovës që disa muaj e ka humbur kapacitetin e vet për të ratifikuar marrëveshjet ndërkombëtare”, ka deklaruar Konjufca.

Ai ka folur edhe për mospërkrahjen e partisë në pushtet për themelimin e komisioneve hetimore parlamentare. 

Sipas Konjufcës themelimi i tyre nuk duhet të pengohet dhe ka thënë se kjo mund të bëhet precedent i keq për praktikën parlamentare. 

“Unë si kryetar i Kuvendit jam që të mos bëhet pengimi i themelimit të komisioneve hetimore, cilat do qofshin ato, betejat duhet të bëhen brenda komisioneve pasi që të themelohen ato dhe të mos vendosen kushtëzime, pamundësim teknik të themelimit të komisioneve”, ka deklaruar Konjufca.

Ndërkohë për zgjatjen e mandatit të Komisonit hetimor për rezervat shtetërore. Konjufca ka thënë se “nëse do të kishte marrëveshje mund t’i shtohen edhe tre muaj mandat”.