Konjufca: Shteti ynë do të qëndrojë lart dhe i paepur përgjithmonë

Me pjesëmarrjen e Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca dhe kryeministrit Albin Kurti, kanë filluar aktivitetet për shënimin e 14-vjetorit të pavarësisë së Kosovës, me ngritjen solemne të flamurit të Republikës së Kosovës.

Pas ceremonisë së ngritjes së flamurit, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, tha se sot është dita më e rëndësishme e Republikës sonë, Dita e Pavarësisë, e cila mishëron dhe sublimon përpjekjet dhe sakrificën e të gjitha gjeneratave, për lirinë tonë politike.

Kreu i Kuvendit tha se vet fakti që kjo ditë po fillon me ngritjen e flamurit të shtetit tonë, është një simbolikë që tregon se shteti ynë do të qëndrojë lart dhe i paepur përgjithmonë.

“Sot këtë ditë të rëndësishme të shtetit tonë do të shënojmë me aktivitete të shumta, ashtu siç e meriton ajo, prandaj shfrytëzoj rastin që të gjithë qytetarëve të Kosovës t’ua uroj Ditën e Pavarësisë”, theksoi kryetari Glauk Konjufca.

Mediave iu adresuan edhe presidentja Osmani dhe kryeministri Kurti.