Konjufca se toleron dhunën në veri, pret nga ndërkombëtarët ta dënojnë ashpër

Kryetari i Kuvendit të Kosovë, Glauk Konjufca, ka dënuar ashpër dhunën e bandave të organizuara kriminale serbe ndaj trupave të KFOR-it, Policisë dhe gazetarëve që po raportonin në terren nga veriu i Kosovës.

Ai po ashtu ka shprehur solidaritetin e tij dhe  institucional për 25 ushtarët e plagosur të KFOR-it, teksa u ka uruar atyre shërim sa më të shpejtë.

“Pjesëmarrja e njerëzve të maskuar në atë që u prezantua si protestë, shpërfaqja e simbole të luftërave gjenocidale serbe dhe pushtimit rus në Ukrainë, sulmet ndaj gazetarëve dhe mediave, përdorimi i mjeteve dhe dhunës së rëndë ndaj trupave të ruajtjes së rendit, tregojnë atë që tashmë dihej: synimin për ta mbajtur të shkëputur pjesën veriore të vendit tonë nga çdo prekje e ligjit dhe rendit që disponon Republika e Kosovës”, shkroi ai.

I pari i Kuvendit pati një thirrje edhe për ambasadat e vendeve mike, për ta dënuar këtë dhunë që ndodhi të hënën në pjesën veriore të Kosovës, nga protestuesit serbë.

“Ndërkohë, shfrytëzoj rastin t’u bëj thirrje ambasadave të vendeve mike ta dënojnë ashpër dhunën e strukturave kriminale, të cilat haptazi janë të mbështetura nga presidenti serb, Aleksander Vuçiq dhe që synojnë destabilizimin e vendit tonë”, shkroi ai në Facebook.

“Gjithashtu, i bëj thirrje organeve kompetente të drejtësisë që të nisin hetimet ndaj atyre që i bënë këto akte të dhunshme ndaj trupave të KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe gazetarëve të terrenit! Është koha që dhunës t’i përgjigjemi me një zë të përbashkët. Ajo nuk mund të tolerohet”.