Konjufca problem me zgjatjen e fjalimeve, i tërheq vërejtjen Arbërie Nagavcit dy herë

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, dy herë ia ka tërhequr vërejtjen ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci, për shkak të fjalimit të gjatë.

Një herë i tha “a mund ta mbyllni për një minutë zonja Nagavci fjalën tuaj”, ndërsa herën e dytë “a mund ta kontrolloni kohën pak më mirë ju lutem, përfundojeni ju lutem”.

Ndërsa pas përfundimit të fjalimit të Nagavcit,  Konjufca tha: Ju lutem grupet parlamentare po iu lajmëroj që ta racionalizoni kohën e fjalimeve tuaja më mirë për shkak se pas dy orësh ndërprehet ky debat.

Gjatë fjalimit të saj, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, i është përgjigjur kritikave nga opozita për mungesën e fillimit të procesit mësimor. Ajo tha se kanë qenë të hapur për adresimin e problemeve nga mësimdhënësit, por u tregua pa mirëkuptim për vendimin e SBASHK-ut që hyri në grevë kur ende arsimi vuan nga pasojat e pandemisë.