Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ka thënë se mocioni i mosbesimit për rrëzimin e Qeverisë u bë me qëllim të keq nga kryetari i LDK-së Isa Mustafa.
Ai thotë se ai e shfrytëzoi situatën e ngutisë përmes planit të ambasadorit Grenell, që ta godasë Vetëvendosjen, e para popullit të fitojë pikë.
Konjufca në emisionin “Desku” në KTV ka shtuar se ky kalkulim i LDK-së është afatshkurtër dhe një gropë në të cilën do të bie vet.
“Është turp t’i gënjesh qytetarët e Kosovës. Mustafa e ka ditur që po e shkel marrëveshjen e koalicionit, por ka thënë se ‘Grenelli po thotë kështu’. Ne kemi thënë që te Grenelli do të shkojmë përmes tre hapave. Ne kemi thënë që tarifa do të hiqet dhe do të bëhet reciprociteti. Me këtë ka kaluar edhe Vjosa Osmani. Çka po bënë tash LDK-ja, po i thotë Vjosa Osmanit ta hapim derën për të dalë nga partia. Ky është mashtrim ndaj qytetarëve”, ka thënë ai.
Konjufca ka thënë se LDK e shfrytëzoi Vjosa Osmanin për të mbledhur vota.
“Si mendoni ju, ta shfrytëzoni Vjosa Osmanin të mbledhin votat e pastaj 50 ditë pas kapërcimit të buxhetit e kthejmë kokën nga PAN-i”, ka thënë ai.
“Unë i shikova ato 45 vendimet që janë marrë brenda 50 ditëve. Duke filluar prej vendosjes së rendit dhe ligjit nëpër secilin institucion. Kur kam shkuar në MPJ, jam skandalizuar kur kam parë se si njerëzit janë bërë ambasadorë. Pa asnjë konkurs as procedurë. Kanë bërë ambasadorë të karrierës në këtë mënyrë. Në çdo institucion që kemi hy, e kemi gjetur në kësi gjendje. Çdo vendim me rëndësi ka shkuar jashtë procedurave ligjore.
Ai ka thënë se ministri i Mbrojtës, Anton Quni, në seancën e djeshme bëri me dije se ka pasur dy grupe të fuqishme brenda LDK-së, njëri pro koalicionit m VV dhe njëri kundër.