Konjufca ia hap derën Vjosa Osmanit për bashkëpunim me Vetëvendosjen

Anëtari i kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, i ka hapur derën Vjosa Osmanit të LDK’së, që është përjashtuar nga pozitat që mbante në partinë e Isa Mustafës. 

Konjufca ka thënë sot se Osmani nuk ka thënë se aderon në LVV, por që tregon se dera e kësaj partie është e hapur për kryeparlamentaren. 

“Ajo nuk ka thënë se do të vjen në LVV. Ajo LVV-në e ka përmend vetëm në kontekstin e një bashkëpunimi, që do të ndodhë. Ajo është zotuar për këtë dhe ne kemi këtë mendim”, ka thënë Konjufca në konferencë.

“Vjosa Osmani e ka dorën e shtrirë nga ana e LVV për një bashkëpunim që do të jetë çelësi i një fitoreje të paparë në historinë e pasluftës”.

Sipas Konjufcës është i paprecedent përjashtimi i Osmanit nga LDK’ja, që ndodhi në qershor të ketij viti. 

“Të përjetosh përçmim nga partia jote derisa të vendosin për kandidate për kryeministre e pastaj të ndodhë përjashtimi i tillë është e pafalshme për çdo person që ka minimum të dinjitetit. Është e patolerueshme”.

“Pakënaqësia e shprehur nga Osmani është e kuptueshme nga qytetarët. Ka të bëjë me faktin që një njeri ndjehet i tradhtuar nga bashkëpunëtorët. Kur ju duhet të vendosin logo para qytetarëve pastaj fillojnë me procedura të “gjyqeve” brenda partisë për të të përjashtuar”.

“Osmani e ka ndërtuar identitetin e pavarur politik me mundin e saj edhe sa e kam përcjell qëndrimet e saj në politikë në dy muajt e fundit ajo ka shpreh idenë që ta vazhdojë alternativën e vet politike që e ka shpjeguar”.