Konjufca dyshon se Vetëvendosje mund ta bëjë qeverinë pa opozitën

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, njëherësh nënkryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, tha se nuk beson se formimi i qeverisë së re është i mundur pa përfshirjen e partive opozitare në koalicionin qeverisës.

Konjufca tha se Vetëvendosje ka pasur synim që në zgjedhjet e 9 shkurtit të fitonte 500 mijë vota, në mënyrë që të drejtojë e vetme qeverinë e ardhshme.

Por, sipas tij, rezultati zgjedhor ka treguar se një gjë e tillë nuk është e mundshme.

“E kemi pasur qëllimin [t’i sigurojmë] 500 mijë vota. Nuk i kemi arritur ato. Tash është një skenar tjetër. Është skenari B”, deklaroi Konjufca.

Konjufca tha se aktualisht ekzistojnë dy skenarë: i pari, votimi i një qeverie deri në zgjedhjen e presidentit të ri; dhe i dyti, votimi i një qeverie të re afatgjatë.

Mandati pesëvjeçar i presidentes Vjosa Osmani përfundon në prill të vitit të ardhshëm.

I pyetur për ftesën për takim që kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ia ka dërguar kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhikut, Konjufca tha se kjo ftesë “është rasti më normal” në një shoqëri demokratike. Një ftesë e tillë nuk u është dërguar partive të tjera opozitare.

Këto komente Konjufca i bëri pas një takimi me përfaqësuesit e partive politike, një javë para mbajtjes së seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, caktoi 15 prillin si datën për mbajtjen e seancës konstituive të përbërjes së re parlamentare, të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit.

Caktimi i seancës konstituive shënon hapin e parë drejt formimit të institucioneve të reja, pas certifikimit të rezultateve zgjedhore nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, më 27 mars.

PDK dhe LDK nuk japin qëndrim të prerë

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Uran Ismaili, nuk dha një përgjigje të prerë nëse do të pranonin një ftesë për takim në rast se ajo do të vinte nga Lëvizja Vetëvendosje.

Ismaili tha se në këtë fazë i takon fillimisht partisë së parë që të provojë funksionalizimin e institucioneve të reja. Në rast se ajo dështon, atëherë, sipas tij, Bedri Hamza mund t’i sigurojë votat e nevojshme .

“Ne kemi një pozicion jashtëzakonisht të qartë dhe një besim të madh, me një kandidat si [Bedri Hamza] që arrin ta krijojë një shumicë, nëse ka një paaftësi të partisë së parë për ta formuar qeverinë,” deklaroi Ismaili.

Ndërkohë, nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Doarsa Kica-Xhelili, ka thënë se me Vetëvendosjen ekziston një hendek i madh, jo vetëm për shkak të dallimeve politike, por edhe për shkak të mënyrës se si Albin Kurti ka qeverisur vendin në katër vitet e fundit.

E pyetur nëse LDK-ja do ta pranojë ftesën për pjesëmarrje në takim me Kurtin, Kica-Xhelili tha se vendimin për këtë e merr vetë kryetari i partisë, Lumir Abdixhiku.

Në takim, të pranishëm ishin edhe Albulena Haxhiu nga Lëvizja Vetëvendosje, Muharrem Nitaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe disa nga përfaqësuesit e partive të pakicave.

Çfarë parashihet më 15 prill?

Më 15 prill, deputetët e zgjedhur paraqiten në Kuvend. Seancën konstituive e udhëheq deputeti më i vjetër në moshë, i ndihmuar nga deputeti më i ri në moshë. Deputetët e zgjedhur bëjnë betimin.

Pastaj, partia e parë propozon kandidatin për kryetar të Kuvendit dhe gjatë seancës zgjidhen edhe nënkryetarët.

Seanca përfundon me zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve, sipas Rregullores së Kuvendit.

Pas konstituimit të Kuvendit, presidentja Vjosa Osmani duhet të mandatojë për krijimin e Qeverisë së re partinë e parë në zgjedhje, në këtë rast LVV-në.

Në Kushtetutë thuhet se mandatari më pas ka 15 ditë kohë që të paraqesë përbërjen e re të ekzekutivit para Kuvendit dhe të kërkojë 61 vota që ajo të votohet.

Sipas rezultateve, në përbërjen e re parlamentare Lëvizja Vetëvendosje do të ketë 48 deputetë, Partia Demokratike e Kosovës 24, Lidhja Demokratike e Kosovës 20, Lista Serbe nëntë dhe koalicioni Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me Nismën Socialdemokrate tetë vende.

Në rast se partia e parë nuk arrin të marrë mbështetjen e të paktën 61 deputetëve, atëherë presidentja Osmani ka afat që brenda dhjetë ditësh të emërojë një mandatar tjetër.

Ajo fton partitë në konsultime dhe është në diskrecionin e saj se kë e mandaton për të formuar ekzekutivin.

Mandatari i dytë, po ashtu i ka 15 ditë kohë që t’i paraqesë Kuvendit përbërjen e kabinetit qeveritar.

Por, nëse Qeveria nuk formohet as pas tentimit të dytë, atëherë presidentja Osmani, sipas nenit 95 të Kushtetutës, duhet të shpallë zgjedhjet e reja, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se 40 ditë.

Lëvizja Vetëvendosje, që doli e para në zgjedhjet e 9 shkurtit, deklaroi ditë më parë se synon që qeverinë e re, të udhëhequr nga Albin Kurti, ta votojë gjatë seancës konstituive.

Megjithatë, deri më tani, kryeministri në detyrë i Kosovës dhe njëherësh kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti, ka njoftuar zyrtarisht se ka takuar partitë politike të pakicave.

Këto takime Kurti i zhvilloi në përpjekje për të siguruar votat e nevojshme për formimin e qeverisë së re. Pas takimeve me përfaqësuesit e pakicave, ai akuzoi Serbinë se po tenton të “sabotojë themelimin e institucioneve të reja”.

Sa u përket partive më të mëdha, deri më tani Kurti ka dërguar ftesë zyrtare për takim vetëm kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku. /Rel/