Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, duke komentuar takimin e së mërkurës midis kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb ,Aleksandar Vuçiq, tha se nuk pret diçka të rëndësishme dhe esenciale nga ky takim.
Konjufca tha se nuk është në rend të ditës për Republikën e Kosovës çështja e Asociacionit, por zbatimi i marrëveshjes bazë nga Serbia.
“Nuk pres diçka të rëndësishme dhe esenciale. Nuk pres nga Serbia që ajo do ta zbatojë marrëveshjen bazike. Kurrfarë Asociacioni nuk është në rend dite për Republikën e Kosovës, njëherë për njëherë”, tha Konjufca për RTV21.
Nga Zyra e kryeministrit Kurti kanë deklaruar se fokusi kryesor i takimit do të jetë zbatimi i Marrëveshjes në rrugën drejt normalizimit të raporteve, Aneksi për zbatimin e saj “dhe rruga përpara”.
Por, nga blloku evropian ende nuk kanë dhënë detaje lidhur me agjendën e takimit Kurti-Vuçiq.
Ky takim i nivelit të lartë në kuadër të dialogut do të ndërmjetësohet nga përfaqësuesi i lartë i bllokut për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, dhe i dërguari i posaçëm për dialogun, Miroslav Lajçak.
Për mbajtjen e rundit të ri të dialogut është rënë dakord gjatë vizitave që Lajçak zhvilloi në Kosovë dhe Serbi gjatë kësaj jave.