“Besoj që idetë i ka të gabuara Kurti. Ka një frymë që i është dhënë një mundësi dhe kjo mundësi s’duhet ndalur. Për bindjet e mia idetë e majta janë thelbësisht të gabuara për Kosovën, në pjesën më të madhe të tyre. Idetë e zhbërjes së shtetit të Kosovës janë thelbësisht të gabuara. Është platformë e tij politike dhe këtë e kemi të qartë po besoj”, ka thënë kryetari i LDK-së, Lumir Abdixiku, në Rubikon të Klan Kosovës para disa ditësh.
Kësaj deklarate iu përgjigj nënkryetari i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, që tha se Abdixhiku s’ia qëlloi.
“Rritja e bashkëpunimit me Shqipërinë absolutisht nuk është zhbërje e shtetit të Kosovës. Është krejtësisht e huqur nga ana e zotëri Abdixhikut. Nuk e di se përmes kësaj gjuhe cilëve qytetarë të Kosovës ai po i flet? Kënd po e targeton përmes kësaj? Gjuhën e tij askush në Kosovë nuk e kupton. Pse? Sepse bashkim kombëtar s’ka meqë është e pamundshme në këto rrethana dhe jo pse s’do kombi shqiptar. Zotëri Abdixhiku po thotë s’duhet, këtë s’e merr vesh askush”.
Konjufca tha se për temën e bashkimit kombëtar ka nevojë më shumë të flitet në tryeza shkencore ku janë në formë më të stërholluar dhe më intelektuale diskutimet.