Kongresi tenton të shmangë mbylljen e Qeverisë amerikane

Senati amerikan do të votojë më 30 shtator për një rezolutë që do të parandalojë mbylljen e Qeverisë, vetëm disa orë para afatit të fundit për të vazhduar fondet për agjencitë federale.

Senatori demokrat, Chuck Schumer, ka thënë më 29 shtator se është arritur një marrëveshje për vazhdim të rezolutës që parandalon mbylljen, dhe ka thënë se votimi do të ndodhë më 30 shtator, për t’i dhënë fund vitit fiskal të Qeverisë amerikane.

Si demokratët, ashtu edhe republikanët duan ta shmangin mbylljen, që zakonisht nënkupton se mijëra punëtorë qeveritarë dërgohen në shtëpi dhe zyrat federale mbyllen.

Zyra e Kongresit për Buxhetin ka vlerësuar se në mbylljen e fundit që ka ndodhur më 2018/19 ekonomisë i është shkaktuar humbje në vlerë të 11 miliardë dollarëve.

Demokratët në Senat kanë thënë se do ta miratojnë legjislacionin, i cili do të mundësojë punën e Qeverisë deri më 3 dhjetor.

Edhe Dhoma e Përfaqësuesve pritet të veprojë njëjtë.

Projektligji, që përfshin 6.3 miliardë dollarë ndihmë për refugjatët afganë dhe 28.6 miliardë dollarë si ndihmë për katastrofa, pritet të ketë mbështetje të madhe dhe të shkojë shpejt në tavolinën e presidentit amerikan, Joe Biden.

Më herët gjatë kësaj jave, demokratët, me insistim të republikanëve, janë detyruar të heqin një pjesë të projektligjit që do t’i lejonte Qeverisë të merrte më shumë borxh, në mënyrë që të kryente obligimet financiare.

Rritja e limtit për borxh shtetëror në mesin e tetorit është gjë kritike për të shmangur krizën financiare dhe recesionin ekonomik, ka thënë Sekretarja amerikane e Thesarit, Janet Yellen para anëtarëve të Kongresit këtë javë.

Demokratët, të cilët kanë shumicë të thjeshtë në të dyja dhomat e Kongresit, kanë thënë se kanë vota për të rritur limtin e borxhit, pa votat e republikanëve.