Konfirmon Kujtim Shala: Kishte plan për atentat ndaj Lumir Abdixhikut

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Kujtim Shala ka konfirmuar planin e atentatit ndaj kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku.

“Po, ne sot kemi marrë një informacion të kësaj natyre, pra mund të konfirmoj që jam i informuar për këtë çështje, për një lloj planifikimi, për një rrjet njerëzish të lidhur me të dhe organizatash në Kosovë dhe në disa shtete të tjera të bashkimit Evropian dhe jashtë territorit të Evropës. Individë të cilët kanë rënë në përgjime të njërës prej agjensive intelegjente kryewsore të BE-së, të vendeve të BE-së dhe nga ajo çka na është thënë ne, del që ka pasur një plan të strukturuar për këtë gjë”, ka deklaruar ai, në “Debat Plus” të RTV Dukagjini.


Shala nuk e ka mohuar që atentati i planifikuar të jetë i lidhur me subjekte politike.

“Po natyrisht, sepse kundërshtar politik jashtë Kosovës nuk kemi. Dhe kjo shkon përtej LDK-së”, ka deklaruar ai.

Ai ka thënë se bëhet fjalë për një rrjet njerëzish qe veprojnë në Kosovë dhe disa vende të BE-së.

“Mund të konfirmoj që është një rrjet njerëzisht në Kosovë dhe disa vende të BE-së dhe pretendohet për dy organizata, njëra nga të cilat pretendohet që vepron në Kosovë tjetra jashtë Kosovës dhe ajo jashtë Kosovës ka marrë përsipër që të financojë ekzekutimin e këtij plani”, ka deklaruar tutje ai.

Ai ka dhënë detaje edhe për mënyrën se si është identifikuar ky grup njerëzish, ende i panjohur.

“Për një lloj planifikimi, për një rrjet njerëzish të lidhur me organizata në Kosovë dhe shtete të tjera të BE-së dhe jashtë territorit të Evropës. Individë të cilët, kanë rënë në përgjime të një prej agjencive intelegjente kryesore të Bashkimit Evropian. Dhe nga ajo që na është thënë ne, del që ka pasur një plan të strutkurar për këtë gjë. Nuk mund të jap shumë informacione, natyrisht”, ka thënë Shala.

Sipas Shalës, motivet janë politke.

“Nga informacionet që kemi marrë ne dhe që bazohen në përgjimet për të cilat po flas unë, motivi është pastërtisht politik.  Ne sot kemi njoftuar Policinë e Kosovës dhe institucionet e tjera të rendit dhe miqtë tanë dhe institucionet ndërkombëtare. Ne informacionet i kemi marrë në një burim nga një agjenci inteligjente evropiane”, ka thënë ai.

Gjithashtu, Shala ka konfirmuar se emri i tij nuk gjendet në këtë listë.

“Jo emri im nuk ka qenë. Nga ajo që e di unë, jo. Ka qenë emri i Abdixhikut dhe tre deputetëve të tjerë të LDK-së”, ka thënë ai.