Kombëtarja e Kosovës është grumbulluar sot në hotel “Premium” në Durrës në kuadër të përgatitjeve për tri ndeshjet e këtij muaji kundër Shqipërisë (më 11 nëntor), Sllovenisë (më 15 nëntor) dhe Moldavisë (më 18 nëntor).
Për këto ndeshje Milot Rashica e Leart Paqarada nuk janë lejuar nga klubet e tyre të udhëtojnë për shkak të vendimeve të regjioneve përkatëse që pas kthimit ata duhet të qëndrojnë në mënyrë obligative në karantinë dhe klubet kanë ushtruar të drejtën e dhënë nga FIFA që të mos i lejojnë lojtarët që të bashkohen me ekipin kombëtar.
Në tri ndeshjet e këtij muaji do të mungojnë edhe Florent Muslija, i cili nuk është në gjendje t’ i bashkohet ekipit pas lëndimit në ndeshjen e fundit, si dhe Benjamin Kololli, i cili është i suspenduar për 2 ndeshjet e Ligës së Kombeve ndaj Sllovenisë e Moldavisë, për shkak të kartonit të kuq pas ndeshjes kundër Greqisë.
Duke pasur parasysh se në ndeshjen e fundit me Zurichun pësoi një lëndim të lehtë në bashkëpunim me lojtarin është vendosur që të mos rrezikohet, meqë edhe ashtu do të mund të luante vetëm në ndeshjen miqësore.
Ndërkohë, në miqësoren kundër Shqipërisë do të mungojnë edhe Valon Berisha e Idriz Voca. Në fakt, Valon Berisha pas problemeve konstante në shpinë në ndeshjet e fundit me klubin, është vendosur që të kryejë rikuperim të lehtë gjatë tri ditëve dhe pastaj t’ i bashkohet ekipit nga dita e enjte për dy ndeshjet e Ligës së Kombeve ndaj Sllovenisë dhe Moldavisë.
Ndërkaq, Voca ka pësuar lëndim në nxemje para ndeshjes së djeshme me klubin e tij dhe pritet të shihet rikuperimi i tij dhe përfshirja eventuale në ekip për dy ndeshjet e Ligës së Kombeve.
Do theksuar se Dardanët sonte në orën 19:00, në kompleksin Tropical në Durrës do ta zhvillojnë stërvitjen e parë.