Gjykata e Apelit e ka konfirmuar aktakuzën e re të ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) ndaj të akuzuarve në rastin “Syri i Popullit”, Avni Llumnica, Sadri Ramabaja dhe Bajrush Konjusha.
Në vendim, thuhet se Gjykata e Apelit, më 1 shkurt 2021, i ka refuzuar si të pabazuara ankesat e mbrojtësve të të akuzuarve Llumnica e Ramabaja, avokatëve Naim Rudari dhe Ramiz Krasniqi.
Fillimisht, Gjykata Themelore në Prishtinë, me aktvendimin e saj të nxjerrë më 18 janar 2021, kishte refuzuar si të pabazuara kërkesat e mbrojtjes për hedhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave.
Pas kthimit në pikën zero të këtij rasti, PSRK-ja kishte prezantuar aktakuzë të re, ku tani të akuzuar ishin vetëm Sadri Ramabaja, Avni Llumnica dhe Bajrush Konjusha.
Llumnica akuzohet për tentim vrasje të Azem Vllasit në bashkëkryerje me Murat Jasharin i cili nuk është pjesë e aktakuzës, pasi që për shkak të gjendjes së tij shëndetësore, gjykata ndaj tij ka shqiptuar masën së trajtimit të detyrueshëm psikiatrik.
Ndërsa Ramabaja akuzohet se kishte ndihmuar të akuzuarit në kryerjen e veprës penale të vrasjes në tentativë.
PSRK ka lënë në aktin akuzues edhe Bajrush Konjushën, të cilën e ngarkon me veprën penale të armëmbajtjes pa leje, i cili pas pranimit të fajësisë ishte dënuar me 300 euro gjobë.
Në vendimin e Apelit thuhet se pretendimet ankimore të mbrojtësve nuk ishin të bazuara, me arsyetimin se gjykata e shkallës së parë kishte vlerësuar drejtë kërkesat e paraqitura nga mbrojtësit për hedhje të aktit akuzues.
Arsyetimi i dhënë nga shkalla e parë, sipas Apelit, përmban arsye të mjaftueshme se aktakuza e re e ngritur nga PSRK-ja dëshmon se ka prova të mjaftueshme, për të mbështetur dyshimin e bazuar mirë se të akuzuarit kanë kryer veprat që u ngarkohen.
Sipas vlerësimit të Apelit, shkalla e parë ka dhënë në mënyrë të zgjeruar arsye lidhur me dyshimin e bazuar rreth provave të kundërshtuara dhe drejtë ka vërtetuar se ekzistojnë prova të mjaftueshme të pranueshme në aspektin ligjor-procedural, raporton Betimi për Drejtësi.
Apeli në vendimin e saj ka vlerësuar se, mbështetur në provat që gjenden në shkresat e lëndës dhe veprimet e përshkruara në aktakuzë, tani ekzistojnë elementet qenësore të veprave penale për të cilat akuzohen të akuzuarit.