Konfirmohen 103 raste të reja me koronavirus në Kosovë

Gjatë 24 orëve të fundit në Kosovë janë konfirmuar edhe 103 raste të reja me koronavirus.

Lajmin e ka bërë të ditur shefi i departamentit të Mikrobiologjisë, Xhevat Jakupi në një konferencë për media.

“Janë marrë gjithsej 489 mostra prej të cilave 103 kanë rezultuar pozitive. Numri total i rasteve ka arritur në 5 mijë e 472 “, ka thënë Jakupi.

Njoftimi i IKSHPK-së

95 TË SHËRUAR DHE 103 RASTE ME COVID-19!

Më datën 16 korrik 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKShPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 459 mostra të marra nga ShSKUK dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren prej të cilëve rezultojnë 103 raste pozitive.

Numri total i rasteve pozitive është 5.472 raste nga 30.005 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2, me gjithsej 124 raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese.

Më datë 16 korrik 2020, janë shëruar 95 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 2.640 raste, kurse numri i rasteve aktive është 2.708.

Rastet pozitive janë nga: komuna Prishtinë 28 raste, komuna Podujevë 16 raste, komuna Ferizaj 12 raste, komuna Mitrovicë 10 raste, komuna Drenas 7 raste, komuna Prizren 6 raste, komuna Gjilan 5 raste, komuna Vushtrri 5 raste, komuna Fushë Kosovë 5 raste, komuna Shtime 4 raste, komuna Suharekë 3 raste dhe me nga 1 rast komunat: Kaçanik dhe Skenderaj.

Të nderuar qytetarë!
Virusi është kudo! Ju lutemi përmbajuni rekomandimeve! Virusi vret!

Zbatimin e rekomandimeve të Institutit Kombëtar dhe Ministrisë së Shëndetësisë duhet ta bëjë çdo qytetar i Republikës së Kosovës, që të ruajë veten, të afërmit dhe të tjerët.

BARTJA E MASKAVE MBETET OBLIGATIVE!
Apelojmë te qytetarët, bizneset, gastronomia, që në mënyrë strikte të respektojnë distancën fizike, përdorimin e maskave, dezinfektimin dhe ajrosjen e lokaleve, duke pamundësuar përhapjen eventuale të infeksionit dhe shmangien e përhapjes në hapësirat e mbyllura.

Ne po shkojmë drejt një normaliteti të ri. Ky normalitet i ri paraqet ndërrimin e sjelljeve tona për të mirë, për të mbajtur higjienën, për të mbajtur distancën, për të mbajtur maskën, për të mos përhapur piklat tona të cilat i qesim nga goja çdo ditë, dikush më shumë e dikush më pak, e që rrezikojnë shëndetin e të tjerëve, por në radhë të parë shëndetin e të afërmve, të familjes, të fëmijëve, të farefisit, të komunitetit, dhe pastaj të gjithë qytetarëve.

Inspektoratet sanitare të AUV dhe Inspektoratet komunale bashkë me shtabet komunale duhet patjetër të zbatojnë Ligjin për Inspektoratin dhe Ligjin për parandalimin e sëmundjeve ngjitëse duke u mbështetur në Manualin për luftimin e COVID-19 dhe të merren masa përgjegjësie në çdo rast të mos zbatimit eventual të rekomandimeve të Institutit Kombëtar.

Çdo shkelje e rregullave nga kushdo do të konsiderohet rrezikim i shëndetit dhe jetës së të tjerëve. Nuk ka të drejtë askush të rrezikojë jetën e të afërmve të tyre, të moshuarve dhe personave me sëmundje kronike për shkak të pakujdesit dhe mos zbatimit të rekomandimeve.

Vazhdoni të mbani distancën fizike dhe maskat!
Lani duart me kujdes disa herë në ditë nga 20-30 sekonda!
Lehtësimi i masave është bërë për të na bërë më të përgjegjshëm!

Ju lutem të keni kujdes, sepse akoma ekziston rrezik i përhapjes në vendet ku ka grumbullim të madh të njerëzve!

NE PO PUNOJMË PËR JU, ANDAJ NA NDIHMONI PAK QË TË JU NDIHMOJMË SHUMË!
Ju faleminderit për mirëkuptim!